Pasuria e Hysri Peçanit – “Burdushit” nuk fillon e as nuk përfundon me pronat në Prizren. Ai, me punën e tij, si mjek popullor ka arritur të blejë tokë edhe në “zemër” të Pejës.
Gjykata e Prizrenit ka sekuestruar tri parcela të tokës në Prizren dhe një në Pejë.
Përveç tokës, atij i janë sekuestruar edhe dy lokale në Prizren.
Pasuria e sekuestruar kap shumën 2 milion e 600 mijë euro.
Zëdhënësja e Gjykatës së Prizrenit, Afërdita Kicaj ka treguar se Hysri Peçanit, i njohur si “Burdushi” i janë ndaluar asetet e dyshuara se janë fituar kundërligjshëm.
Ajo tregon se cila pasuri i është konfiskuar “Burdushit”.
“Gjykata ka lëshuar urdhër ndalues të aseteve të Burdushit. Janë konfiskuar tri ngastra kadastrale në Prizren dhe një në Pejë”, tha Kicaj për “PrizrenPress”.
Por, pasuria e “Burdushit” nuk përfundon vetëm me toka.
“Përveç ngastrave kadastrale, janë konfiskuar edhe dy lokale”, tregon ajo.
Kicaj tregon se “Burduhit” i është ndaluar çfarëdo aktiviteti i të mëtejme në llogarinë bankare.
“Urdhërohet Agjencia Kadastrale e Kosovës – Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër e Komunës së Prizrenit, dhe Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Pejës si dhe Oda e Noterëve të Kosovës që të zbatojnë këtë urdhër”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Prizrenit.
“Urdhri për ndalim është afat gjatë, deri në përfundim të shqyrtimit në këtë çështje penale. Ky urdhër ndalues vlen në tërë territorin e Kosovës”.
Vendimi është marrë pas kërkesës së prokurorit të rastit.
”Burdushi” ka mundësinë që gjatë zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor, të paraqesë fakte dhe prova materiale, për të dëshmuar që pasurinë e ka të fituar në mënyrë të ligjshme.
”Burdushi” gjendet në paraburgim, pasi dyshohet për kryerjen e 4 veprave penale: “Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore, mashtrim, shmangie tatimi dhe mbajtja nën pronësi të paautorizuar të armëve”. Pas arrestimit të tij prokuroria kishte urdhëruar sekuestrimin e pronave të tij në vlerë milionëshe.
Prokuroria Themelore në Prizren, ndërkaq, po vazhdon të intervistojë dëshmitarë në cilësinë e të dëmtuarve në rastin e mjekut popullor, Hysri Peqani i njohur si “Burdushi”.
Prokurori përgjegjës për media, Petrit Kryeziu, ka thënë ditë më parë për media se në prokurori po paraqiten dëshmitarë të tjerë të cilët e ndjejnë vetën të dëmtuar në lidhje me rastin e “Burdushit”.
“Ne kemi pasur në këtë rast të dëmtuar që nga fillimi i procedurës, mirëpo në ndërkohë gjatë hetimeve janë paraqitur dhe po vazhdojnë të paraqiten edhe qytetarë të tjerë të cilët e ndjejnë veten të dëmtuar, në mënyrë që të njëjtit të mund të realizojnë kompensim të dëmit në fund të kësaj procedure penale”, ka thënë Kryeziu.
Prokurori Fatos Ajvazi, në seancën gjyqësore, ndërkaq ka thënë se vazhdojnë të mbesin prapa kërkesës për urdhër ndalues për asetet e Burdushit.
Sipas tij, Prokuroria gjatë hetimeve ka analizuar dhe vlerësuar të gjitha pasuritë e të pandehurit, e po ashtu ka analizuar edhe veprimtarinë e tij.
“Kemi ardhur në përfundim se i pandehuri në vitin 2005 ka regjistruar biznesin e tij si ordinanca te Burdushi, me veprimtari mjekësore e që sipas provave që janë siguruar gjatë hetimit, i njëjti këtë veprimtari e ka ushtruar pa pasur licencë nga Ministria e Shëndetësisë, e në veçanti pa pasur thirrje akademike për këtë veprimtari”, ka thënë prokurori Fatos Ajvazi.
Në provat që janë siguruar, prokurori i shtetit ka parë se edhe në vitin 2008, i pandehuri ka hapur biznes me emrin “Urimi”, me veprimtari të shërbimeve ushqimore në këtë rast restorant. Sipas prokurorit, Burdushi nga bizneset e tij nga viti 2005 ka përfituar 2.6 milionë euro.
“Gjatë hetimeve deri tani, rezulton se qarkullimi total në këto dy kompani të cekura nga 2005 – 2018 kap shumën e 115.000 euro të deklaruar në ATK nga vet i pandehuri, kurse nga pasuria e të pandehurit e cila është fituar gjatë kësaj periudhe arrin shifrën rreth 2 milionë e 600 mijë euro”.
“I njëjti ka mashtruar duke shëruar sëmundje, epilepsi, kancer, të ngecur në të folur, infertilitetit e sëmundje të tjera të cilat i pandehuri i kishte moto në librin e tij të vitit 1998”.
Në seancën e 22 nëntorit të vitit të kaluar Hysri Peqani, mjeku popullor i njohur si “Burdushi” është dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me 1 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, për veprën penale Mashtrim.
Në po të njëjtin vendim “Burdushit” Gjykata ia ka ndaluar ushtrimin e “profesionit” për tri vite.