Agjencia e Lajmeve “Zhurnal”, mëson se në mesin e viktimave të tragjedisë së rëndë në xhaminë kryesore në Mekë, Masjid al-Haram, nuk ka shtetas të Maqedonisë.
Agjencitë turistike që organizuan udhëtim për në Arabinë Saudite përmes linjës tokësore me autobusë, mbrëmë në orët e vona kanë arritur në Aman të Jordanit, për të vijuar më pas për në Medine, transmeton Zhurnal.
Ndërkohë mediat njoftojnë se ka shkuar në 101 numri i viktimave pas tragjedisë së rëndë në xhaminë kryesore në Mekë, Masjid al-Haram. Ndërkaq të plagosur numërohen mbi 180 persona.
Shkak i këtij bilanci të rëndë viktimash ka qenë shembja e një vinçi. Vinçi i përmasave të mëdha ra si pasojë e një stuhie shiu.
Mes viktimave janë edhe shumë pelegrinë nga shtete të tjera të botës. Xhamia ka qenë e mbushur me besimtarë në momentin që ka rënë vinçi. Bilanci i viktimave është në rritje.