Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, tash kryetare e Lëvizjes Evropiane të serbëve në Kosovë, Rada Trajkoviq, ka vlerësuar se kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e ngadalëson hetimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, duke e shfajësuar Milan Radojçiqin.
Siç raporton “Beta”, Trajkoviq në një intervistë për Radio KIM, ka thënë se publiku dëshiron të dijë të vërtetën se kush e vrau Ivanoviqin dhe se ajo nuk do të heqë dorë nga kjo çështje derisa të dalë në shesh e vërteta
“Është e qartë se ekziston një pengim dhe është e trishtueshme që pengesa ekziston në Beograd, sepse nuk i rekomandojnë Radojiçqit që thjesht të dorëzohet dhe të dëshmojë pafajësinë e tij në një proces. Do t’i sigurohej logjistika e shtetit të Serbisë, në sigurimin e avokatëve dhe të gjitha atyre që thonë se i ka siguruar ‘Zyra për Kosovë e Metohi’ për të ndjerin Oliver Ivanoviq derisa ai kishte një proces gjyqësor, e jo ta mbajnë, kurse të gjithë ne jemi fajtorë për diçka. Në fakt, unë sinqerisht dua dhe do të jem këmbëngulëse që të përfundimisht të gjendet kush e vrau Oliverin”, tha ajo, transmeton Telegrafi.
Ajo shtoi se modeli i heshtjes së njerëzve ka pasoja të tmerrshme dhe se njëra ndër to është rrezikimi i njerëzve që flasin ndryshe nga autoritetet.
Sipas vlerësimit të saj, kjo është përgatitje për likuidime të tjera.
Rada Trajkoviq, siç përcjell Telegrafi, ka deklaruar se ka ngritur padi kundër presidentit Aleksandar Vuçiq dhe drejtorit të Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq për rrezikimin e sigurisë personale, por se nga kjo nuk pret shumë, sepse nuk beson se prokurori, të emëruar nga shteti, do të lejojë që ky proces të zhvillohet normalisht.
“Vlerësoj se ky proces do të ndalet, por le të mbetet si një gjurmë e shkruar. Ky edhe ishte qëllimi im”, tha Trajkoviç.
Ajo shtoi se vrasja Ivanoviqir dhe Dimitrije Janiçijeviqit është arsyeja kryesore pse askush nga përfaqësuesit e opozitës serbe nuk është kandiduar në zgjedhjet për kryetar në katër komunat në veri të Kosovës, të cilat janë mbajtur të dielën.
“Askush më nuk do të kandidojë në ato zgjedhje dhe ta paguajë me kokë, për shkakun se është rival i Listës Serbe? Këtu është fundi i demokracisë dhe kjo është vërtetë e tmerrshme”, tha ajo. /Telegrafi/