Tre të arrestuar me akuza për "terrorizëm" në Gjilan

Policia e Kosovës ka njoftuar edhe për një të arrestuar të tretë për “terrorizëm” gjatë aksionit të kryer të premten. H.A., D.K, dhe K.H. janë tre të arrestuarit. Express ka raportuar gjatë ditës së premte për dy të arrestuarit e parë.
Të tre të arrestuarit, H.A., D.K, dhe K.H., ngarkohen me dyshimet se kanë kryer vepra penale të “terrorizmit, rekrutim, organizim dhe financim i tyre”. Gjatë operacionit, po ashtu, ka pasur konfiskime të dokumenteve dhe pajisjeve të ndryshme si prova materiale.
 
Nga ana tjetër, Express ka mësuar se emri i plotë i të arrestuarit të parë në Gjilan është Hajrullah Aliu, imam i xhamisë së fshatit Verbicë e Kmetocit. 
 
Imami Aliu ishte akuzuar se nga predikimet e tij të islamit radikal kishte ndikuar që 17 vjeçari Lirim Robelli të merrte rrugën për në Siri. Akuzat ndaj tij i drejtoj vet babai i Lirimit, Begzon Robelli, në një rrëfim ekskluziv për Express, pas arrestimit të djalit në Aeroportin e Prishtinës që me dokumente false tentoi të merrte rrugen për në Siri.
 
Njoftimi i Policisë së Kosovës:
 
Sot më 27.02.2015, Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria Kundër Terrorizmit, në mbështetje dhe të njësive tjera relevante policore, në rajonin e Gjilanit dhe në Prishtinë ka realizuar një operacion policor me që rast janë arrestuar tre (3) persona të dyshuar për terrorizëm.
 
Të dyshuarit janë:
 
1.H. A. viti i lindje 1990
 
2.D. K. viti i lindje 1992 dhe
 
3.K. H. viti i lindje 1991
 
Të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer vepra penale të terrorizmit të përcaktuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, respektivisht:
 
•Lehtësimi në kryerjen e terrorizmit
 
•Rekrutimi për terrorizëm
 
•Shtytja për kryerjen e veprave terroriste
 
•Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist
 
•Financimi i Terrorizmit”.
 
Gjatë operacionit si prova materiale janë konfiskuar: dokumente të ndryshme, disa pajisje elektronike etj.
 
Rasti është duke u hetuar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Artikulli paraprakVV: Blerand Stavileci përbuzi më së shumti gratë, foli si Millosheviqi
Artikulli vijuesShefi i policisë, i puth kokën të "burgosurit ideal" në momentin e lirimit