“Vendbanimet nuk kanë dobi për procesin e paqes. Tokat e disponueshme janë të kufizuara dhe këto pakësohen edhe më shumë me ndërtimin e vendbanimeve”
Presidenti amerikan, Donald Trump, për herë të parë kritikoi vendbanimet e Izraelit në territoret e Palestinës, që prej ardhjes së tij zyrtarisht në detyrë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Vendbanimet nuk kanë dobi për procesin e paqes. Tokat e disponueshme janë të kufizuara dhe këto pakësohen edhe më shumë me ndërtimin e vendbanimeve. Duhet ti hulumtojmë gjitha opsionet. Mirëpo mendoj se kjo nuk është e mirë për paqen”, tha Trump, në një deklaratë për gazetën “Izrael Hayom”.
Trump u shpreh se dëshiron paqe mes Izraelit dhe Palestinës. “Nuk dua ta dënoj Izraelin gjatë kryerjes së detyrës time. Izraeli ka një histori të gjatë në lidhje me dënime dhe vështirësi. Unë shumë mirë e kuptoj dhe e çmoj Izraelin. Mendoj se paqja do të ishte e përkryer edhe për Izraelin”, deklaroi Trump.
Trump duke dhënë mesazhin se është optimist në lidhje me marrëveshjen u shpreh se “Padyshim paqja nuk konsiderohet e mirë derisa nuk është e mirë për të gjithë. Disa nuk e shohin të mundshme vazhdimin e marrëveshjes së paqes. Unë nuk pajtohem me ata. Besoj që mund të arrijmë në marrëveshje, kemi nevojë për të.”
“Jam duke menduar mirë rreth çështjes së ambasadës”
Trump është shprehur se seriozisht është duke u menduar në lidhje me sjelljen e ambasadës amerikane prej Tel Avivit në Jerusalem.
“Jam duke menduar në atë temë dhe jam duke punuar mbi të. Nuk është një vendim i lehtë. Është një temë që flitet me vite të tëra, por askush nuk dëshiron të marrë këtë vendim. Edhe unë mendoj mirë mbi këtë temë. Do të shohim se çfarë do të ndodh”, shtoi presidenti amerikan.