Trump: Të ndalohet hyrja e myslimanëve në Amerikë

Kandidati republikan për president Donald Trump bën thirrje për “ndalimin e plotë” të myslimanëve që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, deri sa udhëheqësit e vendit “të sqarojnë se çfarë po ndodh”, njofton Zëri i Amerikës.

“Deri sa të sqarojmë dhe kuptojmë këtë problem dhe kërcënimin e rrezikshëm që ai paraqet, vendi ynë nuk mund të bëhet viktimë e sulmeve të tmerrshme nga njerëz që besojnë vetëm tek xhihadi, që nuk pranojnë asnjë llogjikë dhe nuk kanë respekt për jetën”, shprehet Trump.

Nuk është hera e parë që Donald Trump bën deklarata armiqësore kundër myslimanëve. Ai i ka bërë thirrje qeverisë të vëzhgojë xhamitë dhe nuk ka pranuar të tërhiqet nga një propozim i mëparshëm për të futur gjithë emrat e myslimanëve në listë.

Deklarata e zotit Trump, u bë një ditë pasi Presidenti Obama u kishte bërë thirrje amerikanëve që të mos kthehen kundër myslimanëve pas sulmeve të fundit terroriste.

Shtëpia e Bardhë e dënoi me shpejtësi propozimin e zt. Trump, duke e quajtur atë “plotësisht në kundërshtim me vlerat tona si amerikanë”.

“Karta jonë e të Drejtave respekton lirinë e fesë”, tha Ben Rhodes, një nga këshilltarët kryesorë të presidentit Obama.

Ibraham Hooper, drejtori i Këshillit të Marrëdhënieve Amerikano-Islame, ishte veçanërisht i ashpër në kritikën e tij ndaj zt.Trump.

“Ne po hyjmë kështu në një territor fashist”, tha ai.  Komente të tilla “duhet të jenë shqetësuese jo vetëm për myslimanët amerikanë, por për gjithë amerikanët, që kryesuesi i republikanëve në garën presidenciale bën praktikisht deklarata fashiste, si kjo”.

(VOA)

Artikulli paraprakVIDEO – Emërtimi i fëmijëve dhe përshatja me ambientin
Artikulli vijuesBFI: Shteti i Maqedonisë uzurpator i Jeni Xhamisë së Manastirit