Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se i është mirënjohës Greqisë për mbështetjen që i jep vendit të tij në rrugën evropiane dhe për faktin që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Vuçiç tha se kjo miqësi duhet të forcohet edhe me marrëdhënie më të mira ekonomike, andaj paralajmëroi mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët të dy qeverive. Vuçiç i bëri këto komente për gazetarët në Beograd, pasi priti homologun grek, Alexis Tsipras.
Kryeministri serb tha po ashtu se Serbia dhe Greqia do të bashkëpunojnë edhe rreth krizës së migrantëve, raporton Rel. Greqia është në mesin e pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, edhe gati nëntë vjet pas shpalljes së saj.