VMRO këmbëngul për zgjedhje të reja

VMRO-DPMNE kërkon llogari nga ndërkombëtarët të cilët u prononcuan për vazhdim të bisedimeve dhe formimin e Qeverisë së re.

Me ton të ashpër, partia e Gruevskit kërkon që ambasada e SHBA-ve të sqarojë qëndrimin e djeshëm dhe të saktësojë nëse kjo nënkupton se ambasada amerikane përkrah idenë që mandati duhet t’i kalohet partisë së dytë.

“VMRO-DPMNE kërkon sqarim nëse SHBA sugjeron dhe kërkon nga Maqedonia dhe partitë në parlament që të mos ketë zgjedhje të reja parlamentare dhe a mundet që kjo ftesë të interpretohet si qëndrim zyrtar i administratës së SHBA-së, që partitë sipas radhës aktuale me fuqinë që doli nga zgjedhjet e fundit, të formojnë Qeveri të re?”, thanë nga VMRO-DPMNE.

VMRO-DPMNE-ja kërkon llogari edhe nga BE-ja e cila tha se duhet të merret parasysh edhe krijimi i një “Qeverie sa më të zgjeruar”.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se mbeten në qëndrimin e së dielës ku kërkonin zgjedhje të reja si mundësi e vetme e daljes nga kriza dhe evitimit të konflikteve.

Pas kërkimit të mandatit për të formuar Qeveri, kreu i LSDM-së Zaev ka takuar ambasadoren e Gjermanisë Kristinë Althauzer, të Suedisë Mars Stefanson dhe atë të Polonisë Jaxhek Multanovski, ku ka theksuar nevojën që vendi të ecë përpara. Ambasadorët janë njoftuar edhe për bisedimet që Zaev zhvillon me partitë shqiptare.

“Është e qartë se në zgjedhje, vullneti i shumicës së qytetarëve është për ndryshime. Për këtë kërkojmë nga Gjorge Ivanov të mos humbë më shumë kohë, të veprojë në bazë të Kushtetutës dhe të japë mandatin për formimin e Qeverisë së re. Ne presim që ta formojmë shumicën e re parlamentare”, deklaruan nga LSDM.

BDI-ja nga ana tjetër ka ndërprerë mbledhjet maratonë të kryesisë që zhvilloi fundjavën e kaluar dhe nuk është rikthyer në tryezë për të diskutuar përsëri mbi pesë opsionet e tyre për situatën. Të kontaktuar nga Alsat, nga kjo parti nuk bënë të ditur se cilët do të jenë hapat e ardhshëm. Përfaqësuesit e partive politike, për ditën e nesërme janë ftuar në takime të ndara me Presidentin Ivanov. Nga Kabineti i presidentit Ivanov nuk bëjnë me dije nëse janë ftuar të gjithë partitë parlamentare.

Artikulli paraprakTsipras në Beograd, Vuçiç: Mirënjohje që nuk e njihni Kosovën
Artikulli vijuesÇfarë është bomba me hidrogjen? Kush e zotëron dhe pse është më e frikshme se bomba atomike