Deputeti i Partisë Demokratike, Nait Hasani thekson se Kosova mund ta bëjë ushtrinë pa pasur fare nevojë që ta ndryshojë Kushtetutën.
Ai i ka thënë Gazetës Blic se për këtë nevojitet vetëm vullneti politik.
“Ne kemi pasur një ushtri të Kosovës, ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila më pas është kthyer në TMK, ndërsa me shpalljen e pavarësisë është shëndrruar në Forca të Sigurisë së Kosovës dhe nuk ka pasur ndërrime kushtetuese, dhe as tash nuk është e nevojshme të ndryshohet Kushtetuta për të bëre Ushtrine e Kosovës”, tha ai për Gazetën Blic.
Domethënë, shton Hasani, për ta shëndrruar mjafton vetëm vullneti për ta pasur, edhe duhet t’i armatosim.
Deputeti i PDK-së, shpjegon procedurat se si funksionalizohet ushtria e Kosoëvs.
“Ushtria mund të bëhet me një vendim në Kuvend, dhe Forcat e Sigurisë të shnëdrrohen në Forca të Armatosura”, thotë Hasani për Gazetën Blic.
Nëse miratohet vendimi në Kuvend, siaps tij, pas 15 ditëve nga seanca, ushtria mund të jetë në funksion.
“Dhe vetëm duhët të armatosen, dhe këto që po fliten që kinse duhen edhe votat e serbëve janë pallavra të atyre që nuk ja duan të mirën vendit. Në Kuvend jemi shumica, edhe kjo është çështje e shumicës dhe ne nuk jemi pakicë me lujtë askush me ndjenjat tona”, thotë Hasani.
Hasani thotë se nuk na nevojiten votat e serbëve për formimin e ushtrisë.
“Nëse duhen votat e pakicës serbe atëherë le ti sjell Serbia ushtrinë e saj në Kosovë”, tha Hasani.
“Ne kërkojmë që Forcat e Sigurisë të shëndrrohen në Forca të Armatosura, ose Ushtri e Kosovës dhe nuk duhet asnjë ndryshim në Kushtetutë”.
Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Burim Ramadani ka thënë për Gazetën Blic se shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura kërkon qartësi ligjore dhe vullnet të detajuar politik.
“Është krejtësisht e qartë se Kosova ka nevojë për themelimin e ushtrisë dhe që kjo ushtri të jetë me kapacitete të plota për mbrojtje të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”, vlerëson ai.
Deri më tash, sipas tij, përpjekjet kanë qenë të drejtuar kah mundësia e transformimit të FSK-së përmes ndryshimeve kushtetuese, të cilat domosdoshmërisht kërkojnë edhe votat e 2/3 të komuniteteve. Kështu, shton Ramadani, i bie që FSK-ja bëhet ushtri edhe me votën e shumicës së deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës.
“Ky opsion nuk është arritur të ndërtohet deri më tash”, tha ai.
Një opsion tjetër ligjor, sipas tij, është ai që argumenton se për themelimin e ushtrisë së Kosovës nuk ka nevojë ndryshimet kushtetuese, porse majftojnë vetëm ndryshimet ligjore.
“Në këtë rast, nuk është e domosodshme vota e deputetëve serbë. Sipas këtij opsioni, emri i FSK-së nuk ndryshon, por ndryshon mandati dhe misioni”, ka thënë Ramadani për Gazetën Blic.
Megjithatë, sipas tij, ky opsion nuk është provuar deri më tash.