Vajza nga Tetova rrëfen rrugëtimin e saj deri te mbulesa

Unë jam një vajzë 20 vjeçare nga Tetova. Kam lindur dhe jam rritur në një familje muslimane. Gjyshërit e mi dhe nëna ime ishin gjithmonë ata më praktikuesit e fesë, falnin namazin, agjëronin Ramazanin, ndërsa unë, vëllai im dhe babai e praktikonim fenë më pak.

 Mundohesha ndonjëherë të falja ndonjë namaz dhe të agjëroja në Ramazan, por në asnjërën prej të dyjave nuk isha e rregullt. Isha në gjimnazin e Tetovës. Dilja çdo ditë me shoqe, dhe pas shkollës shkonim për të pirë diçka. Mbrëmjeve, kur kishte festa, shkoja atje bashkë me shoqërinë time. Edhe pse bëja një jetë të tillë, që askujt nuk i lija përshtypjen se një ditë do të mbulohesha, sërish ajo ishte një dëshirë, një sekret i imi, që e doja shumë dhe lutesha shpesh që Zoti të ma mundësonte. E gjitha kjo ishte një e fshehtë, një botë e imja që askush nuk e dinte, ndonëse shpesh kur flisnim për mbulesën me shoqërinë apo me familjen, çdo herë i përkrahja femrat e mbuluara.

Para se të udhëzohesha në këtë rrugë të drejtë, isha krejtësisht jashtë rregullave fetare. Flokët i kisha të prera si Rihanna dhe veshjen e kopjoja çdo ditë nga të famshmet e Hollywood-it.
Por falë Zotit që erdhi dita që të mbulohesha dhe ajo dëshirë e fshehtë që flinte në shpirtin tim, u realizua. Vendimi për t’u mbuluar më erdhi krejt papritur. Gjithçka ndodhi brenda një jave. Mendoja gjatë ditës dhe natën s’më zinte gjumi, duke medituar për gjërat që kisha bërë për Zotin tim, i Cili më ka dhënë shumë të mira në jetë… sa e kisha falënderuar Atë, sa isha falur, sa kisha agjëruar dhe sa e kisha ruajtur dhe mbuluar trupin tim…

Të gjitha këto mendime ma ndalnin frymën e më turbullonin. Po sikur të vdisja?!

Erdhi dita e enjte. Të nesërmen, të premten, kisha vendosur të mbulohesha. Dola nga shkolla me shoqet e mia dhe shkova në një dyqan që shiste veshje për të mbuluara. Aty bleva veshjen e parë. Shoqet e mia, edhe pse ishin me mua, sërish nuk e besonin se e kisha seriozisht. U ktheva më pas në shtëpi dhe i tregova nënës time për rrobat që kisha blerë, por edhe ajo s’e besonte që do të mbulohesha. Pastaj babai erdhi nga puna dhe i thashë: “Babi, unë kam vendosur të mbulohem!” Ai qeshi. Më pa në fytyrë dhe më tha: “Në rregull.” Nuk i bëri shumë përshtypje ajo që i thashë. Mendoi se po bëja shaka.

Atë natë nuk më zinte gjumi nga gëzimi. Mezi po prisja të dilte mëngjesi, të vishja rrobat e reja dhe të vendosja shaminë në kokë. Ndihesha si ai fëmija i lumtur që me zor pret të nesërmen, kur i kanë premtuar se do t’ia blejnë lodrën e tij të preferuar.
Të nesërmen u mbulova dhe dola jashtë që të shkoja në shkollë. Isha në vitin e katërt, 18 vjeç. Ajo ditë ishte dita më e bukur e asaj pranvere. Kur arrita në shkollë, të gjithë mbetën të habitur. Më shikonin, më uronin, e madje dikush më pyeti nëse më kishte vdekur dikush nga familja e po mbaja zi. Jeta ime ndryshoi tërësisht dhe gjithçka për mirë.

Falënderoj Zotin që më udhëzoi e që ma bëri të mundur mbulesën.

Ajo nuk më ka penguar aspak në jetën time. Të gjithë më kanë përkrahur dhe më kanë uruar, por sigurisht ka pasur edhe kritika dhe ofendime. Megjithatë, unë nuk i mar parasysh ato, sepse kam vendosur të kryej obligimin për Zotin tim, për Atë që na ka begatuar me shumë të mira në këtë botë.
Mbulesa më ka dhënë lirinë që s’e kam pasur

kurrë më parë. Nuk ishte liri të shkoja në “party”, të prisja flokët si Rihanna dhe të vishesha si dikush tjetër.


Dje isha vetëm një kopje e dikujt, ndërsa sot jam e lirë të jem vetvetja, të vishem siç dua, siç do Zoti im.
Arbnora, Tetovë

Artikulli paraprakKëta janë pesë personat nga Maqedonia që u arrestuan në Turqi pasi dyshoheshin se shkonin të ndihmonin ISIS-in (Foto)
Artikulli vijuesTurqi, hiqet ndalesa për mbajtjen e shamisë për policet