Vëllau musliman: Mjeshtri i anijeve që jeton në shtëpi 8 m2

Ahmet Lila është një personazh i njohur për qytetin e Durrësit. Durrsakët e njohin atë si plaku i varkave, që çdo ditë në shkallët e xhamisë apo në shtëpinë e tij të vogël ekspozon mrekullitë e tij prej druri, të cilat tashmë janë shitur në mbarë Shqipërinë, madje edhe jashtë saj. Një pjesë e tyre tashmë kanë udhëtuar në drejtim të Italisë, Suedisë, Francës, Japonisë, Australisë apo vendeve të tjera. Burri që tashmë i ka kaluar të 60-at, punon nga mëngjesi në mbrëmje për të mbajtur familjen e tij me gjashtë pjesëtarë. Janë të gjithë pa punë; gruaja invalide, djemtë, vajzat. Ahmeti ju siguron bukën e përditshme duke shitur objektet prej druri.

Ahmet Lila i ka duart e arta. Këtë e dinë të gjithë. Pak dinë që nga duart e tij kanë dalë vepra të tilla të rralla si Koloseu i Romës, Amfitetari i Durrësit, Torra Veneciane, Xhamia e madhe, anijet e flotës shqiptare si “Butrinti”, “Sazani”, “Durrësi” etj, apo edhe Titaniku i famshëm. “Titaniku” është dhe anija më e madhe që ka punuar në dru Ahmeti, me përmasa prej 1.4 metra me 40 centimetra. Ahmeti kujton që këtë anije ja ka blerë një gjeneral italian i Guardia di Financës.

Ajo anije thotë Ahmeti është shitur me çmimin me të lartë prej 2 milionë liretash, por pasi i numëroi lekët pa që porositësi i kishte dhënë më pak. “Nuk e mallkova- tha Ahmeti-pasi jam njeri i Zotit, por nuk i bëhet kjo një fukarai”. Po kështu Ahmeti kujton se shumë klientë të huaj në Suedi, Francë, Angli dhe Australi tashmë kanë blerë anijet e tij dhe i ekspozojnë në vendet e tyre.

Nëse flota shqiptare e anijeve është zhdukur, të paktën, tashmë, ajo ekziston në anijet prej druri të Ahmetit. Kur shkova ta vizitoja, Ahmeti nuk ishte si zakonisht në shkallët e xhamisë duke ekspozuar punimet e tij. Ai po punonte në oborrin e tij, një anije me vela. Ai të tregon diçka nga zanati i tij, për mënyrën se si e zgjedh drurin, si e punon, si i jep jetë formave të anijeve.

Anijet janë pasioni i tij. Ahmeti të tregon se punon nga mëngjesi në mbrëmje, por është i detyruar që t`i shesë anijet e tij për një çmim qesharak, për të mbajtur me bukë familjen. “Leku ka rënë. Njerëzit blejnë ushqime dhe jo vepra arti. Shyqyr që del ndonjë turist për të blerë diçka”. Ahmeti është pa shkollë. Ai nuk i ka numëruar punimet e tij prej druri, por me siguri që janë me qindra të shpërndara në të gjithë kontinentet. Ahmeti kujton se si një turist britanik qëndroi disa ditë në Durrës për të parë se si ai e punonte veprën në mënyrë autentike nga copat e drurit. Më pas, thotë, e bleu!

Ahmeti është një artist i varfër, pa shkollë, por ai është një njeri i mirë. Kurrë në jetë nuk ka thënë një fjalë të keqe. Ai beson, beson në Zot. Çdo ditë Ahmeti shkon në xhami duke i kryer të gjitha ritet fetare. Besimi e bën atë të lumtur, ndonëse punon nga mëngjesi në mbrëmje, ndonëse jetojnë 6 vetë në disa metra katrorë, ndonëse ka mijëra halle, ai gjithmonë e gjen lumturinë brenda vetes. Me këtë frymë i ka edukuar dhe fëmijët. Ahmeti të thotë se në punimet e tij prej druri nuk bën kafshë apo pamje të tjera fytyrash, pasi nuk ja lejon besimi. Ka dy vende ku mund ta gjesh artistin Ahmet, te shtëpia dhe te xhamia!

Të jetosh në 8 metra katrorë

Ahmeti me familjen e tij jetonte në 8 metra katrorë shtëpi, ku në dy krevate marinari dhe në një rrogoz shtriheshin 6 veta. Shtëpia e tij është në mes të Durrësit, vetëm pak metra nga sheshi luksoz i bashkisë. Ka 10 vjet që Ahmeti troket në dyert e bashkisë dhe gjithnjë i premtojnë, por nuk i japin shtëpi. Ai kujton se kryetari i bashkisë i premtoi se do t`i japë banesë, por nuk mori, pasi nuk ka mundësi të paguajë qiranë e kësaj banese. Ahmeti është krenar.
Ai nuk qahet, nuk shan njeri për këtë padrejtësi. Ai rron me shpresë edhe pse në 8 metra katrorë, madje Ahmeti është i lumtur në varfërinë e tij. Ai sfidon në emër të jetës, ndonëse banon në mes të Durrësit, në sytë e të gjithë zyrtarëve lokal e qendror, ndonëse janë sy që s`janë kthyer asnjëherë nga ai, pasioni i tij, e aq më pak, familja e tij!. /Shekulli/Telegrafi/

ahmeti-3-620x451-780x439

Artikulli paraprak“Karvani i Femrës Muslimane” mirëpritet nga qyeteti i Kukësit
Artikulli vijuesI riu indian vret vetën duke bërë selfie me armën e babës