Mëngjeset, për disa sjellin shpresa për ditë më të mirë, por për familjen Jusufovski nga fshati Lubosh sjell vetëm trishtim dhe pyetjen “si do ta kalojmë edhe këtë ditë”?
Kjo familje 7 anëtarëshe, që jeton në fshatin Lubosh të Komunës së Studeniçanit, po përjeton një mjerim të vërtetë. Ata madje, nuk kanë as edhe një shtëpi të vetën, ndërsa shtëpia ku ata rijnë përkohësisht nuk përmbush as kushtet minimale për të jetuar. Shpresat e kësajfamilje, u shuan 4 vite me parë, kur kryefamiljari u diagnostifikua me një sëmundje të rëndë dhe prej atëherë nuk është më në gjendje për t’ua siguruar as ushqimin 5 fëmijëve të tij. Që atëherë në venat e tyre ka depërtuar një varfëri e skajshme.
“Jam I sëmurë prej veshkave. Njëra veshkë nuk më funksionon fare, vetëm me njërën jetoj. Kam edhe gurë. Edhe unë nuk e di. Për barnat më ndihmojnë fqinjët. Jam shumë i sëmurë. Tre shipka i kam në veshkë. Ka katër vite që jam I sëmurë”, thotë kryefamiljari Ismet Jusufovski.
Ai më tej rrëfen se me sa vështirësi e kanë kaluar periudhën e ftohtë të dimrit. Sa i vështirë ka qenë dimri për sëmundjen e tij.
“Dimrit kam qenë katastrofë. Mos të ishin fqinjët s’di çfarë të them. Ja si e shifni vetë. Katastrofë. Dru nuk kam pas. Kam qenë shumë i sëmurë gjatë dimrit”, rrëfen kryefamiljari Jusufovski.
Por, hallet e tyre nuk përfundojnë këtu. Në mesin e pranverës, ata do të goditën edhe nga një stuhi tjetër. Ata së shpejti do të mbesin në rrugë, pasi shtëpinë ku jetojnë momentalisht, duhet ta lirojnë dhe nuk kanë ku të gjejnë strehim. Jusufovski tregon se sa të vështirë e ka tua shpjegojë këtë fëmijëve të tij. “Fëmijët më kërkojnë por kur ka, ka, kur nuk ka skam çfarë tu bëjë. Më vjen keq për fëmijët. Kam problem me shtëpinë. Në Shëngjergj duhet ta liroj. Tash e ka shitur. S’kam të holla”, thotë Jusufovski.
“Me dal edhe prej këtu nuk kemi ku të shkojmë tjetërkund”, thotë bashëshortja e tij, Sanije Jusufovski.
Netë pa gjumë, ditë pa dritë. Sy që thirrin për mëshirë, solidaritet dhe ndihmë. Ata kanë shpresa se njerëzit human nuk do të lejojnë që qielli i hapur të bëhet çatia e familjes Jusufovski…
Teuta Buçi /SHENJA/