Vedat Ejupi, është 28 vjeçari, i cili ditë më parë ka rënë në vrimëne ashensorit në Spitalin e Dermatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Si pasojë e kësaj, Vedati ka të lënduar unazën e tretë të boshtit kurrizor, ka të thyer dorën, këmbën si dhe nofullën e gojës.
Ai tregoi për KosovaPress, se dera e hapur e ashensorit ka qenë shkas për të cilën ai është rrëzuar. Vedati tha se mjekët janë duke e dhënë maksimumin e tyre për trajtimin e tij, mirëpo, për shkak të plagëve të rënda as mjekët s’munden ta shërojnë ndryshe.
“Kam qenë t’u shkua me pa një kushëri temin edhe kam shkuar shkallëve përpjetë. Dera u kanë hapur edhe jam hi në korridor. Kam menduar që është lifti edhe dera e liftit u kanë poshtë hapur edhe jam hi menjëherë në lift. Thash të shkoj lartë edhe lifti nuk u kon duke punuar edhe kam ra në podrum poshtë. Falë Zotit që kam shpëtuar, fal Allahut që ishte një motër medicionale më ka dëgjua t’u bërtit. Dy zjarrfikës kanë hyrë poshtë e më kanë nxirr, se mos me kanë ata, unë sot bon vakia isha vdekur. Kam thyer dorën, këmbën e kam të thyer, nofullën e kom të thyer edhe e kam të shqyer veshin, unazën e tretë kam të kristë edhe krejt trupi llom mu ka bërë. Po, po super trajtimi është i duhur, po ma shumë s’kanë mundësi këta me më trajtuar ma mirë”, tha Ejupi.
Babai i viktimës, Nexhip Ejupi, tregoi për mënyrën e rrëzimit të djalit të tij Vedatit nga ashensori në Spitalin e Dermatologjisë në Prishtinë.
Ai tha se djali i tij, Vedati ka rënë nga ashensori prej 4-5metra lartësi, kjo pasi që dyert nuk kanë qenë të mbyllura dhe si pasojë lifti ka funksionuar në katet lartë.
Zyrtarja për informim në QKUK, Mirlinda Qyqalla pas rastit ka njoftuar për media se qytetari e ka hapur derën me dhunë, duke menduar që ajo funksionon.
“Lifti ka qenë jashtë funksionit dhe qytetari e ka hapur atë me dhunë për të shkuar në Qendrën e Palmologjisë. Pra, vizitori nuk ka ndjekur rrugët të cilat dërgojnë për në këtë qendër, por ka përdorur një lift që është jashtë funksionit dhe e ka hapur derën me zor dhe kur ka hyrë brenda, menjëherë ka rënë poshtë”, tha Qyqalla.
Në anën tjetër, babai i viktimës Nexhip Ejupi, ka fajësuar stafin e Klinikës së Dermatologjisë, duke thënë se kjo është një papërgjegjësi e tyre, sepse ata nuk kanë njoftuar që ashensori nuk është në funksion edhe në të njëjtën kohë dyert e tij kanë qenë të hapura.
Ai i ka demantuar deklaratat e zëdhënëses së këtij spitali, dukë thënë se është gënjeshtër,sepse djali i tij Vedati nuk e ka shtyre ashensorin me dhunë.
Sipas tij, edhe prokurori ka marr vetëm deklaratën e zëdhënëses dhe ka dal në terren për të vizituar vendin e ngjarjes dy ditë më vonë.
Pas asaj dite stafi i asaj klinike ka vënë një karrige dhe letër në derën e ashensorit, në të cilën shkruan se ashensori nuk funksionon. E më vonë edhe një dry, i cili ndalon hyrjen në atë lift.
Mirëpo, edhe pas insistimit të KosovaPress-it që të kontaktojë me Prokurorinë lidhur me këtë rast, kjo ishte e pamundur.