Kryetari i Vetvendosjes , Visar Ymeri, ka thënë se edhe pse mund të mos jemi në luftë me Serbinë, Drejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, po mbahet porsi një rob lufte në Serbi.
Tutje, ai ka thënë se tashmë është ringjallur projekti serbomadh i Millosheviçit, shkruan Gazeta e Re. Këto deklarata ai ka bërë publike në një postim në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
Për më shumë lexoni statusin e tij të plotë:
Mund të mos jemi më në luftë me Serbinë, por Drejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, po mbahet porsi një rob lufte në Serbi.
Sot, me 5 tetor, janë bërë 16 vjet prej se u rrëzua në Beograd regjimi i Milosheviqit. Mirëpo, projekti serbomadh e mënyrat kriminale të Milosheviqit tash janë bërë më të gjalla në Serbi edhe se kur vetë ai ishte gjallë. As Thaçi, as Mustafa, as Veseli dhe asnjë zyrtar i lartë i institucioneve të shtetit të Kosovës nuk guxojnë t’i quajnë Vuçiqin dhe regjimin e tij ashtu siç ata janë: fashistë, kriminelë, çetnikë, terroristë. Krejt çfarë bënë është se i thanë kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Elmi Reçicës, që të dalë me komunikatë e të thotë që nëse përsëriten këso raste arrestimesh (sic.), atëherë do të ndërpriten bisedimet me Serbinë! Pra, e pranuan që kanë hequr dorë nga lirimi i Nehat Thaçit sepse vetëm përsëritjen e arrestimeve e kanë hall. Dhe, e pranuan që bisedimet me Serbinë janë interes i Serbisë e favor i Kosovës ndaj saj!
Polici Nehat Thaçi nuk është as i paraburgosur e as i burgosur politik, por një shqiptar i rrëmbyer në vitin 2016 i cili po mbahet si një peng lufte në kazamatet e Serbisë. Shekulli XX ende nuk ka përfunduar.