Vrasjet e të rinjve, sfida e radhës për Brazilin

Duke përballuar me sukses recesionin botëror, Brazili ecën pa u ndalur. Por përveç suksesit, duke dalë para Britanisë si ekonomia e gjashtë më e madhe në botë, sfidat si dhuna mes rinisë mbeten ende të pranishme.
Përqindja e vrasjeve është ndër më të lartat në botë. Sipas studimit të ndërmarrë nga Shkolla Amerikane Latine e Shkencave Shoqërore, se niveli i vrasjeve mes të rinjve nën moshën 19 vjeç është rritur në 30 vitet e fundit me 346% . Por çfarë e shkakton këtë dhunë epidemike tek të rinjtë?
Rreth 30 kilometër larg nga lagjet që tregojnë kartolinat e plazheve të Kopakabanës dhe Ipanemas në Rio de Janeiro shtrihet Favel Accari, një lagje e varfër e cila strehon 50 mijë njerëz. Teksa ecën përmes saj, nuk mund të mos vëresh ndikimin mbi komunitetin e drogave të paligjshme . Djem të rinj me automatikë bëjnë roje në pika strategjike, duke pritur urdhëra që transmetohen me anë të radiove walkie-talkie. Muret janë të shënuara me inicialet TCP, ose ndryshe Komanda e Tretë e Pastër, një nga tre bandat më kryesore të trafikut të drogës në Rio.

Pak mundësi zgjedhjesh
Vanderlay da Cunha ka jetuar në Favela Accari për 37 vite, ku punoi me të rinjtë e lagjes. Ai thotë se tregëtia e drogës ka shpërthyer në Accari dhe komunitete të tjera të ngjashme. “Rreth 30 vite më parë gjërat ishin ndryshe,” shpjegon da Cunha. Shpërndarja e drogës ishte një mënyrë që njerëzit të fitonin ndonjë para më tepër. Por sot, transformimi i trafikut të drogës në një industri ku fitohen qindra milionë dollarë në shtetin e Rios, është kthyer në paralele me rritjen ekonomike të ekonomisë, thotë da Cunha.
Da Cunha evidenton se sot, logjika e trafikimit të drogës bëhet për të rritur përfitimet, dhe nuk ka rëndësi se sa jetë njerëzish humbasin gjatë rrugës. “Askush nuk futet në këtë rrjet për përfitime afatgjata,” thotë ai, “por ata qëndrojnë aty sepse kanë shumë pak mundësi të tjera zgjedhjeje. Nuk kanë asnjë aftësi ose formim.”
Në janar, Brazili ia kaloi Britanisë duke u bërë ekonomia e gjashtë më e madhe në botë. Por ky sukses maskon shumë statistika të pakënaqshme. Mes 91 vendeve të anketuara nga studimet e Shkollës së Shkencave Shoqërore, Brazili renditet i katërti për vrasjet e të rinjve, duke ndjekur shtete si El Salvadori, Venezuela, Trinidadi dhe Togabo.
Si një punonjës që merret më të rinjtë, da Cunha është shumë i familjarizuar me këtë problem. “Shumë nga vdekjet e të rinjve janë si një pasojë e drejtpërdrejtë e trafikut të drogës, veçanërisht njerëzit që janë viktima të dhunës në përplasjet mes bandave të ndryshme dhe policisë,” thotë ai. Por ai gjithashtu vë në dukje faktin se duhen marrë në konsideratë edhe faktorë të tjerë, si për shembull vdekjet në burgje. “Numri real i vdekjeve do të ishte shumë më i lartë, përderisa shumica e viktimave janë të varfër, të margjinalizuar dhe të paregjistruar,” vëren ai.

Masakra e Candelarias
Siç shpjegon da Cunha, shumë nga viktimat e Brazilit përgjatë 30 viteve të fundit kanë humbur jetën jo vetëm në përplasjet mes bandave rivale, por edhe në duart e dhunës famëkeqe të efektivëve të korruptuar policorë të vendit. Policia e Rios është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut, si për shembull Amnesty International, për përdorim arbitrar dhe të paligjshëm të dhunës. Së fundmi, qyteti përkujtoi masakrën e vitit 1993 të Candelarias, në të cilën policët hapën zjarr drejt një grupi fëmijësh të pastrehë në qendër të qytetit të Rios, duke vrarë tetë të rinj të moshave 11 dhe 20 vjeç.
Wesley Delrioblack, një gazetar që jeton në Favela Accari thotë se nivelet e larta të dhunës në Rio kanë ndikuar drejtpërdrejt tek ai. Ai tregon se është dhunuar nga policia në moshën 14-vjeçare, pasi u akuzua si hajdut. Dy nga vëllezërit e tij janë vrarë të rinj; njëri nga policia dhe tjetri nga një skuadër asgjësimi. Ai shpjegon se këto skuadra u krijuan me njerëz të paguar nga bizneset vendase, me qëllim ruajtjen e rendit dhe për t´u siguruar që njerëzit nuk vjedhin apo shkaktojnë probleme.

Ndarje të thella
Pavarësisht suksesit ekonomik të kohëve të fundit, Brazili ka një hendek të madh mes të pasurve dhe të varfërve. Nga të gjitha vendet e G20, ky është vendi i dytë në këtë drejtim, pas Afrikës së Jugut. Franceline Cardaso, një aktiviste që organizon aktivitete kulturore në komunitetet e varfra, pohon se ka një lidhje mes krimeve të dhunshme dhe niveleve të zhvillimit ekonomik. “Brazili u ndërtua me dhunë. Së pari, me vrasjen e popullatës indigjene, dhe më pas me tregtinë transatlantike të skllevërve. Sot, një ndarje e thellë e pabarazisë dhe dhunës përdoret për vënien e rregullit dhe mbajtjen e popullsisë nën kontroll,” mendon ajo. Një nga teoritë më të diskutueshme të shprehura nga autori i studimit Mapa do Violencia, Julio Jacobo Waiselfisz, është se dhuna mes të rinjve në Brazil është normalizuar. Da Cunha është dakord. “Një kombinim i medias me politikat qeverisëse ka arritur në përfundimin se një i ri që punon si shpërndarës droge në Favela nuk është vetëm një i ri që është i margjinalizuar dhe i varfër. Ai është një terrorist dhe një armik i shtetit,” thotë da Cunha, duke shtuar se kjo “është përvetësuar më pas nga popullsia e Favelas.”

Disa prej të rinjve në lagjjet e varfra të Rios do të heqin dorë nga trafiku i drogës me dëshirën e tyre. Disa do të rriten në radhët e këtij trafiku. Disa të tjerë do të përfundojnë në burgje, ose të qëlluar për vdekje nga policia, apo bandat rivale. Të gjithë njerëzit e Favelas kanë ende për të parë nga përfitimet e bumit ekonomik brazilian.

Artikulli paraprakWSJ: Fitorja e Rusisë në zgjedhjet e Gjeorgjisë
Artikulli vijuesErdogan i jep ish zv/presidentit irakian shtetësinë turke