WSJ: Fitorja e Rusisë në zgjedhjet e Gjeorgjisë

Të hënën, qytetarët në ish-republikën sovjetike të Gjeorgjisë kanë votuar në zgjedhjet që vëzhguesit ndërkombëtarë i kanë cilësuar si më konkurrueset dhe më të besueshmet në historinë e vendit. Sipas rezultateve, koalicioni opozitar Ëndrra Gjeorgjiane, i udhëhequr nga miliarderi Bidzina Ivanishvili, ka shënuar fitore të papritur ndaj partisë pro-perëndimore të presidentit pro-amerikan, Mikhail Saakashvili.

Kështu nis shkrimin e përditshmja “Wall Street Journal”.

Gazeta kujton se të martën pasdite, presidenti Saakashvili, me bustin e Ronald Reaganit në sfond, ka pranuar humbjen dhe është zotuar se do të ndihmojë fituesit të formojnë qeverinë e re. Me këtë deklaratë, ai ka sfiduar parashikimet e opozitës dhe të kritikuesve të tij në Perëndim, të cilët e kanë karakterizuar si një autokrat që fshihet prapa retorikës demokratike.

Sipas “Wall Street Journal”, zgjedhjet dhe transferimi që pritet të jetë paqësor i pushtetit, paraqesin fitore për demokracinë në Gjeorgji, por edhe për fqinjin verior të vendit – Rusinë, e cila ka të ngjarë të rrisë ndikimin e saj në Gjeorgjinë e qeverisë së re.

Megjithatë, Rusia, e cila ka pushtuar Gjeorgjinë në vitin 2008 dhe ende mban 20 për qind të territorit të saj, nuk ka qenë kryesorja në mendjet e votuesve. Në mesin e dhjetëra gjeorgjianëve të intervistuar, asnjëri nuk ka përmendur luftën me Rusinë apo orientimin perëndimor të zotit Saakashvili si çështje që përcaktojnë votën e tyre, shkruan “Wall Street Journal”. Sipas gazetës, ankesa më e shpeshtë e tyre kundër qeverisë ka qenë papunësia.

Pavarësisht reformave të brendshme të Saakashvilit – të cilat kanë reduktuar në mënyrë drastike krimin dhe korrupsionin, si dhe kanë hapur vendin për biznese ndërkombëtare – shkalla e varfërisë në Gjeorgji mbetet përafërsisht e njëjtë me kohën kur ai ka ardhur në pushtet, më 2003.

Derisa lidhjet perëndimore të Gjeorgjisë nën sundimin e Saakashvilit mund të mos kenë qenë faktor për humbjen e tij, ato, megjithatë, do të vuajnë pasojat, shkruan gazeta. Kjo, sepse zoti Ivanishvili, i cili ka bërë pasuri në Rusi në vitet 1990, gjatë privatizimit të ekonomisë post-sovjetike, do të shkojë në drejtim rivënies së Gjeorgjisë nën ndikimin e Moskës.

Gazeta kujton se Ivanishvili, kur ka bërë publike hyrjen e tij në politikën gjeorgjiane, ka premtuar se do të shesë pasurinë e tij në Rusi. Por, mënyrat se si i ka bërë ai paratë, nuk janë e vetmja gjë që ngre dyshime për riorientimin e politikës së jashtme të Gjeorgjisë. Sipas gazetës, deklaratat e Ivanishvilit dhe të disa anëtarëve të koalicionit të tij politik shprehin afërsi me Rusinë dhe antagonizëm ndaj Shteteve të Bashkuara.

Vitin e kaluar, Ivanishvili i ka thënë gazetës “Economist” se Gjeorgjia është më pak demokratike se Rusia. Për më tepër, sipas Ivanishvilit, Qeveria gjeorgjiane ka nisur luftën e vitit 2008 me Rusinë, për shkak të Osetisë së Jugut.

Para zgjedhjeve, vijon “Wall Street Journal”, Ivanishvili ka shkruar një letër kërcënuese për ambasadorin amerikan në Tbilisi, duke kërkuar që ai të ndalojë Institutin Kombëtar Demokratik, të financuar nga SHBA-ja, dhe Institutin Ndërkombëtar Republikan nga realizimi i sondazheve, pasi rezultatet nuk ishin në favor të dëshirave të tij. Sipas gazetës, Ivanishvili nuk ka kritikuar kurrë publikisht as presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili nuk është një figurë popullore në Gjeorgji.

Në konferencën për gazetarë, të martën pasdite, Ivanishvili ka fajësuar Saakashvilin për bërjen e Gjeorgjisë “lojtar gjeopolitik” dhe ka premtuar marrëdhënie më të mira me Rusinë – të cilat do të bien në kurriz të sovranitetit të Gjeorgjisë për aq kohë sa Putini mbetet në pushtet, shkruan gazeta.

Sipas saj, duke pasur parasysh fqinjin e tyre dhe madhësinë e vendit të tyre, gjeorgjianët nuk mund të fajësohen se dëshirojnë të shmangin gjeopolitikën. Por, zmbrapsja e vendit të tyre nga rruga drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian mund të jetë katastrofë.

Reformat liberale dhe standardet demokratike, që parashtron integrimi perëndimor, kanë efekt pozitiv në vendet në periferi të Evropës. Nëse Gjeorgjia vazhdon rrugën e Perëndimit, ajo mund të bëhet si Polonia ose Republika Çeke – dikur satelitë sovjetikë, tani demokraci të fuqishme. Nëse shkon rrugës së Rusisë, ajo do të bëhet si Ukraina dhe Bjellorusia, e para regjim kuazi-autoritar, e dyta diktaturë e vështirë, thuhet në artikull.

Kremlini, me vite, ka bërë përpjekje të destabilizojë Gjeorgjinë dhe të largojë qeverinë e saj pro-perëndimore nga pushteti. Me fitoren e Bidzina Ivanishvilit, Moska ka shënuar fitore, shkruan “Wall Street Journal”./rel

Artikulli paraprakRassoul: Afganistani synon paqe me talibanët
Artikulli vijuesVrasjet e të rinjve, sfida e radhës për Brazilin