Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se do t’i ngrejë përmendore kryeministrit të vrarë serb, Zoran Gjingjiq.
Vuçiq ka thënë se përmendroja do të ngrihet në vitin 2018, kur edhe bëhen 15 vjet nga vrasja e Gjingjiqit.
Gjingjiq ka qenë kryeministri i parë serb i zgjedhur pas rënies së regjimit të Millosheviqit në vitin 2000.
Gjatë mandatit të tij, në Serbi ka nisur procesi i demokratizimit të shoqërisë dhe i reformave ekonomike dhe sociale.
Qeveria e Gjingjiqit ka bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës për Krime Lufte dhe ka arrestuar dhe ekstraduar në këtë gjykatë disa të akuzuar.
Gjingjiq është vrarë më 12 mars të vitit 2003 nga një snajperist pranë ndërtesës së qeverisë në qendër të Beogradit.
Organizatori i vrasjes, Millorad Ulemek Llegija, dhe snajperisti Zvezdan Jovanoviq janë dënuar me nga 40 vjet burgim.
Vuçiq ka qenë pjesë e qeverisë në regjimin e Millosheviqit, ndërsa viteve të fundit është shndërruar në pro-evropian.