Hapet për adhurim pas 104 viteve Xhamia Hajdar Kadi në qytetin e Manastirit e cila kishte pozitë qendrore gjatë periudhës Osmane, pas restaurimit të realizuar nga Drejtoria e Përgjithshme Turke e Vakëfeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Zv/kryeministri i Turqisë, Veysi Kaynak, në fjalimin që mbajti në ceremoninë e hapjes, tha se “Ndërsa bota është ngulfatur nga luftrat sektare, migrimi, uria dhe varfëria, Turqia vazhdon të jetë ishull i paqes dhe odë e sigurisë së bashku me ju, duke ngelur e denjë ndaj paraardhësve të saj.”
Hapja e xhamisë historike në Manastir u realizua me pjesëmarrjen e zv/kryeministrit të Turqisë Veysi Kaynak, zv/kryeministrit të Maqedonisë Festim Halili, kryetarit të Bashkësisë Islame të Maqedonisë Sulejman Rexhepi, deputetit të AK Partisë nga Stambolli dhe njëherësh kryetar i Grupit të Miqësisë Ndërparlamentare Turqi-Maqedoni Hüseyin Bürge dhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve Adnan Ertem.
Zv/kryeministri Kaynak, në fjalimin e tij tha se “Ky monument 450-vjeçar që është një dhuratë e paraardhësve tanë, sërish po shndërrohet në vend ku përmendet fjala e Zotit 104 vite pas mbylljes.”
Duke e theksuar ndjenjën e veçantë e të ardhurit në Ballkan, Kaynak u shpreh se Shteti Osman ka qenë i pranishëm për 550 vite në Ballkan nga gjithsej 600 vitet e administrimit të tij. Ai më tej shtoi se qytetarë të shumtë nga e gjithë Turqia mund të kenë fqinj që kanë migruar nga Ballkani, të afërm ose kujtim.”
Kaynak më tej tha se Ballkani i cili është administruar nga Shteti Osman paraqet shembull që duhet marrë nga bota. “Shteti Osman që u shtri në tri kontinente dhe qeverisi për 600 vite, ka përfshirë njerëz nga të gjithë popujt, racat, gjuhët dhe fetë, në asnjë vend nuk ka qenë imperialist apo kolonialist dhe në asnjë vend nuk ka kryer gjenocid”, vlerësoi Kaynak.
Zv/kryeministri Kaynak, si shembull për këtë përmendi rastin kur Fatih Sulltan Mehmeti gjatë lëshimit të Bosnjës dha verdiktin që askush të mos cenohet dhe shqetësohet.
“Turqia vazhdon të jetë odë e paqes”
Kaynak theksoi se të njëjtën mendësi sot e kanë vazhduar udhëheqësit aktual të Republikës së Turqisë. “Ndërsa ne sot përjetojmë gëzimin e hapjes së Xhamisë Hajdar Kadi në Manasitr, Drejtori e Përgjithshme e Vakëfeve aktualisht në Edirne po bën restaurimin e sinagogës më të madhe hebreje në Evropë dhe kishës më të madhe armene në Diyarbakır. Kjo sepse ne jemi trashëgimtarët e një civilizimi të këtillë dhe kudo që të ketë ngelur ndonjë monument i pasardhësve tanë, ne e kemi borxh ta ripërtërijmë dhe rindërtojmë”, u shpreh Kaynak.
Sipas tij, Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve në Maqedoni ka bërë shpërndarje e ushqimeve për dalluar askënd, ka mikpritur në spitalet më të mira turke pacientë nga Maqedonia dhe ka ofruar bursa për studentë. “Ndërsa bota është ngulfatur nga luftrat sektare, migrimi, uria dhe varfëria, Turqia vazhdon të jetë ishull i paqes dhe odë e sigurisë së bashku me ju, duke ngelur e denjë ndaj paraardhësve të saj”, potencoi Kaynak.
Në fund të fjalimit, zv/kryeministri i Turqisë uroi të jetë dëshmitarë edhe i rihapjes së xhamive Ali Pasha në Ohër, Isa Bej dhe Jahja Bej në Shkup dhe Haxhi Mahmud në Manastir, duke përcjellur më tej falënderimet deri te qeveria e Maqedonisë për mundësinë e dhënë për restaurimin e monumenteve dhe deri te të gjithë ata që kanë dhënë kontribut.
Fjalimi i drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve Ertem
Fjalim po ashtu mbajti edhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve Adnan Ertem, i cili tha se krahas punimeve për objektet dhe monumentet e vakëfit në Turqi, drejtoria në fjalë që nga viti 2012 ka filluar edhe me aktivitete restaurimi në vendet të cilat më parë kishin qenë nën administratën osmane.
Në kuadër të kësaj, siç tha Ertem, fillimisht është restauruar dhe hapur hamami Isa Bej në Bosnjë, ndërsa është filluar me punime për restaurim edhe në Kosovë dhe Maqedoni, duke nënvizuar se Xhamia Hajdar Kadi paraqet aktivitetin e parë të restaurimit në Maqedoni.
Ertem vuri në dukje se gjatë vlerësimeve të para kishin vërejtur se minarja kishte qenë e rrënuar ndërsa mimberi i copëtuar, me çka në bazë të këtyre vlerësimeve ishte nënshkruar protokoll me të cilin kishin filluar punimet.
“Nuk mund ta rrëfej gjendjen tonë shpirtërore që ky ndryshim i xhamisë nga dita e parë e deri më tani ka krijuar personalisht te unë dhe te anëtarët e Vakëfit. Ne si Vakëf realizojmë shumë punë. Megjithatë, e them me sinqeritet se po të mos i bënim këto, natyrisht që diçka do të ngelte e mangët. Është pak sado që të jemi falënderues”, theksoi Ertem.
Ndërkaq, deputeti i AK Partisë nga Stambolli, Hüseyin Bürge, duke thënë se po dëshmojnë për monumentet osmane në Ballkan, falënderoi presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, kryeministrin Binali Yıldırım, zv/ministrat dhe këdo që ka dhënë kontribut dhe nuk ka ngelur vetëm si spektatorë në restaurimin e monumenteve dhe objekteve historike këtu.
Në ndërkohë, zv/kryeministri i Maqedonisë Festim Halili në fjalimin e tij theksoi se dy shtetet dhe popujt janë miq. “Po ashtu, ekzistojnë shumë gjëra që na lidhin historikisht. Ju falënderoj në emër të Republikës së Maqedonisë për kthimin e xhamisë në gjendjen aktuale. Do të jemi gjithnjë të hapur për të tilla bashkëpunimesh. Shpresojmë që kjo të mos jetë xhamia e fundit që restaurohet”, tha Halili.
Po ashtu, edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi shprehu kënaqësinë për praninë në xhaminë historike. “Duam t’i dërgojmë selam presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Lutemi që Zoti atij t’i japë shëndet, forcë dhe energji pozitive. Le t’u dalë përballë të gjithë armiqve ashtu si di. Të gjithë muslimanët janë pas tij”, tha Rexhepi.
Ndryshe, e mbyllur prej 104 vitesh, Xhamia Hajdar Kadi e cila njihet si “Princesha e Ballkanit” dhe e cila iu kthye shkëlqimit të dikurshëm pas restaurimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve, u hap gjatë kohës së namazit të xhumasë pas fjalimeve protokollare.