Gazi lotsjellës që u hodh të mërkurën në mbledhje të Kryesisë nuk e ka parandaluar koalicionin qeverisës që edhe zyrtarisht për të premten ta caktojë seancën, kur Hashim Thaçi do të votohet president i Kosovës.
Është hera e dytë që opozita, përveç sallës plenare, gaz lotsjellës hedh edhe në mbledhje të Kryesisë. Veprime të tilla brenda dhe jashtë Kuvendit opozitarët kanë paralajmëruar edhe ditën kur do të votohet presidenti i ri, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërkaq, PDK-ja ka disa ditë që po përgatit festë për aktivistët e vet ditën kur kryetari i tyre do të mund të inaugurohet shef i shtetit. Për shkak të procedurës që kërkohet, Thaçin formalisht do ta sfidojë bashkëpartiaku Rafet Rama.
Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili ka folur i nervozuar pas mbledhjes së Kryesisë, i ka ftuar qytetarët t’i ruajnë familjet e tyre.
Ndërkaq, situatën në të cilën po futet Kosova e ka përshkruar pak më shumë sesa serioze.