Një student me prirje sadiste vrau 4 persona në dhjetor të 2015-ës. Tani ai është arrestuar afër fshatit Rupperswil, aty ku ndodhi njëri prej krimeve më tronditëse të historisë së re të Zvicrës.
Që nga fundi i dhjetorit të vitit të kaluar një vend kërkonte një vrasës: Zvicra kishte vënë në lëvizje pothuaj të gjitha mekanizmat e sigurisë për të arrestuar vrasësin e katër personave në fshatin Rupperswil, i njohur në këtë vend për fabrikën e sheqerit.
Të premten autoritetet njoftuan se, është sqaruar se kush e kishte kryer krimin. Sipas të dhënave të policisë dhe prokurorisë së kantonit Aargau bëhet fjalë për një student 33- vjeçar, i cili banonte në Rupperswil. Më 21 dhjetor 2015 ai kishte observuar shtëpinë e viktimave dhe përmes një mashtrimi ishte futur aty.
Në shtëpi gjendeshin një nënë, dy djemtë e saj dhe e dashura e njërit prej djemve. I dyshuari për krimin i kishte lidhur ata, ua kishte mbyllur gojën dhe ua kishte prerë qafën me thikë.
Djali më i ri i kësaj familjeje ishte keqpërdorur edhe seksualisht. Ky 13-vjeçar, siç shkruan gazeta “Tages Anzeiger”, ishte futbollist i talentuar. Ai luante për juniorët e ekipit “FC Aarau”.
Hetimet kanë treguar se, vrasësi i supozuar kishte trajnuar disa ekipe të juniorëve në kantonin Aargau, shkruan dialogplus. Prokuroria tani për tani është e bindur se motivet e dorasit kanë qenë seksuale dhe financiare.
Por, një ekspert i forenzikës ka deklaruar për “Tages Anzeiger” se ky shpjegim nuk mjafton. Bernd Borchard tha se, rrjedha e krimit tregon për një psikopat, i cili me brutalitet dhe gjakftohtësi dhe motive sadiste ua kishte marrë jetën 4 personave.
Në vendbanimin e të dyshuarit policia ka konfiskuar një çantë me mjete e vegla të njëjta që ishin përdorur gjatë vrasjes së katërfishtë. Policia është e bindur se me arrestimin e të dyshuarit janë evituar krime të tjera.