Policia e Kosovës pas arrestimit të 15-vjeçarit që shtiu me armë gjatë “Beer Festit”, ka njoftuar se motivi i këtij rasti ka qenë një mosmarrëveshje ndërmjet disa të rinjve të moshës së mitur.
“Pas zhvillimit të hetimeve intensive nga Policia e Kosovës, konkretisht nga Hetimet Rajonale në Prishtinë është identifikuar i dyshuari i këtij rasti, i cili gjatë procedurave hetimore ka bashkëpunuar me Policinë”, thuhet në komunikatën e Policisë.
“I dyshuari, i identifikuar nga Policia lidhur me incidentin në ” Birra Fest” është i mituri (H.V. -15 vjeçar) i cili është arrestuar sot me datë 19.08.2016 rreth orës 17:00 dhe pas konsultimeve me prokurorin kompetent i njëjti dergohet në mbajtje për procedurë të mëtejme ligjore. Veprimet hetimore për zbardhjen në tërësi të këtij rasti janë ende në proces nga hetuesit kompetent policor”, thuhet më tej.
Gjatë incidentit më 29 korrik në “Beer Fest” u lënduan mbi 40 persona shkaku i panikut të turmës.