Bisedimet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit sirian pritet të nisin në Zvicër. Këto janë bisedimet e para që prej se Washingtoni dhe Moska ndërprerë negociatat, pasi marrëveshja e armëpushimit kolapsoi muajin e kaluar.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry pritet të takohet me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe me diplomatë të tjerë nga OKB-ja dhe fuqitë rajonale sot në Lozanë
Përpara takimeve, Lavrov është cituar nga mediat ruse të ketë thënë se nuk ka “pritje të veçantë” për këtë përpjekje diplomatike.
Lavrov ka thënë më 14 tetor se Rusia nuk ka në plan të paraqes iniciativa të reja për mënyrën se si do të zgjidhej ky konflikt.
Por një zyrtar amerikan, i cili po udhëton së bashku me sekretarin Kerry, u ka thënë gazetarëve se bisedimet janë dizajnuar për të zbuluar ide për dhënien fund të konfliktit dhe jo për të arritur menjëherë një zgjidhje.
Armëpushimi i arritur muajin e kaluar kolapsoi pasi Damasku me ndihën e sulmeve ajrore të Rusisë, nisi një ofensivë të madhe ndaj zonave të kontrolluara nga rebelët në Alepo.
Kjo ofensivë ka ngjallur akuza të krimeve të mundshme të luftës nga perëndimi.
Kerry-t dhe Lavrov në bisedimet në Lozanë do t’i bashkohet i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura si dhe diplomatë nga Turqia, Arabia Saudite dhe Katari – që të gjithë mbështetës të forcave opozitare siriane.
Irani, një mbështetës kyç i regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad, ka thënë se ministri i jashtëm, Mohammad Javad Zarif, po ashtu do të marrë pjesë në këto bisedime.
Një zyrtar amerikan po ashtu ka deklaruar se diplomatë nga Egjipti, Iraku dhe Jordani po ashtu do të jenë pjesë e këtyre bisedimeve.