Maqedoni: Gjendja e përkeqësuar pas reshjeve të dendura

Dëmet e shkaktuara megjithse janë të pallogaritura mendohet të jenë miliona denarë.

Reshje të shumta në Maqedoni shkaktuan përmbytje dhe dëme të mëdha në rajonet e Shtipit, Koçanit, Strumnicës dhe Kumanovës. Dëmet e shkaktuara megjithse janë të pallogaritura mendohet të jenë miliona denarë. Vonesa e mbjelljes në bujqësi në pranverë do të rezultojë në rënie të prodhimit, në furnizimin e tregjeve me ushqime, si dhe në çmimin e produkteve.

Përmbytjet rrezikuan më shumë rajonet e Maqedonisë lindore, por edhe disa rajone të Kumanovës, Kërçovës e Gostivarit. Dalja nga shtrati i lumit “Zajashka reka” në Kërçovë rrezikoi reth 70 familje të cilat u evakuuan nga shtëpitë e tyre, ndërsa në Gostivar për shkak të daljes nga shtrati të disa kanaleve në lagjen Banjeshnicë janë përmbytur 30 familje.

 

Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë shpërndau ndihma humanitare në rajonet e përmbytura në Manastir, Prilep, Shtip, Koçan, Strumnicë, Kërçovë, Gostivar. Përmes fushatave telefonike në Maqedoni janë grumbulluar gjithsej 4.683.500 denarë (reth 76 mijë euro), ndërsa në llogari të Fondit të solidaritetit janë grumbulluar 741.987 denarë (reth 12 mijë euro). Në organizimin e Kryqit të Kuq në këto rajone janë shpërndarë pako me produkte ushqimore, pako me mjete higjienike, ujë i pijshëm, çizme dhe batanije.

 

– Dëme më të mëdha nga përmbytjet u shkaktuan në Maqedoninë lindore

 

Në vendbanimin Livadishte në Shën Nikollë më shumë se 50 familje mbetën të ndarë nga pjesa tjetër e qytetit për shkak të shembjes së një ure mbi lumin Potok. Ura u shemb si rezultat i gërryerjes së madhe të themeleve të saj nga prurjet e tepërta të lumit..

 

Ende ekziston rreziku për një pjesë të shtëpive që gjenden afër lumit të cilat deri më tani nuk janë përmbytur, mirëpo nga ujërat e ardhur një pjesë e bregut është gërryer. Ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov ka vizituar këtë komunë i cili theksoi se mbetjet e urës po shkaktojnë pengesa në rrjedhën e drejtë të ujit së shpejti do të ndërhyhet për largimin e saj.

 

Për shkak të shembjeve dhe përmbytjeve trafiku në disa rrugë në vend zhvillohet me vështirësi ose është i ndërprerë. Në aksin rrugor Katllanovë-Veles pas pikës pagesore rrugore Sopot, shembjet janë pastruar, por rruga është e hapur në njërën korsi në gjatësi prej 200 metrash. Poashtu edhe në aksin rrugor Stracin-Kriva Pallankë lëvizja zhvillohet në një korsi në gjatësi prej 150 metrash.

 

Ndërsa, në aksin rrugor Koçan-Makedonska Kamenicë është ndërprerë tërësisht lëvizja për të gjitha llojet e automjeteve motorike për shkak të shembjeve të mëdha të gurëve. Trafiku është orientuar drejt Vinicës, Berovës dhe Dellçevës. Ndërkohë, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vardar lëvizja është ndërprerë edhe në aksin rrugor në udhëkryqin Marvinc-Gjevgjeli.

 

– Reshjet e mëdha kanë shkaktuar dëme edhe në tokat bujqësore

 

Bujqit thonë se është ende herët të jepen vlerësime për dëmet nga përmbytjet në bujqësi. Sipas tyre së pari duhet të stabilizohet gjendja, pastaj të shihet se sa kohë do të jetë uji mbi sipërfaqe, megjithatë humbjet do të jenë të mëdha, veçanërisht tek të mbjellat vjeshtore në Pellagoni, mbjellje e së cilës edhe ashtu ishte e përgjysmuar.

 

Kryetari i Lidhjes së Bujqve, Velo Tantarov, tha se reshjet e fundit erdhën në sipërfaqet e tokës veçmë të mbushura me ujë dhe se të binte vetëm pesë litra shi në metër katror do ishte e tepërt për tokat bujqësore. “Pyetja është nëse do të tërhiqen ujërat për 10 deri në 15 ditë pas stabilizimit të motit, si do të kryhet ushqimi i parë pa të cilën nuk ka prodhimtari”, shprehet ai.

 

Sipas tij, në Pellagonia e cila për momentin është njëra nga rajonet më të goditura, asnjëherë nuk ka pasur reshje kaq të dendura të shiut në muajin shkurt, as me intensitet të vogël, e jo më të rrëmbyeshme si këto të fundit me 50 litra në metër katror. “Bujqit e këtij rajoni shpresojnë në ndihmën e Qeverisë së Maqedonisë për  nga kjo gjendje e rëndë”, tha Tantarov.

 

Nga ana tjetër, agro ekpertët vlerësojnë se përmbytjet nuk shkatërruan vetëm pjesën e produkteve bujqësore, por shkaktuan edhe dëme serioze në cilësinë e tokës. Nuk është e sigurt nëse zonat e përmbytura pas tërheqjes së ujit do të kenë të njëjtat cilësi dhe elemente kimike të nevojshme për rimbjelljen e produkteve bujqësore, prandaj agro ekpertët urdhërojnë tërheqjen e ujit për të bërë analiza kimike dhe pedologjike për të shikuar përbërjen, cilësinë e tokës dhe të dihet çfarë veprimesh të mëtejshme duhet të zbatohen.

 

Federata e Fermerëve të Republikës së Maqedonisë (FFRM), apelon që bujqit të raportojnë në institucionet kompetente për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet. “Në zonat e prekura nga përmbytjet të bëhen analiza pedologjike dhe kimike, që të shihet cilësia dhe përbërja e tokës, si dhe për dhënien e këshillave të përshtatshme tek bujqit për veprimet e mëtejshme që do të merren për ruajtjen e cilësisë së tokës”, thonë nga FFRM.

 

– Një fëmijë humbi jetën për shkak të përmbytjeve

 

Krahas dëmeve materiale dhe tokës bujqësore, ditën e premte reth orëve të mesditës humbi jetën edhe një fëmijë shtatë vjeçar, pasi që u mbyt në ujërat e ardhur në një luginë të fshatit Nikushtak të Kumanovës, kur bashkërisht me vëllanë e tij më të rritur kaluan luginën e mbushur me ujë. Si pasojë e reshjeve të dendura, një masë e madhe e ujit erdhi me shpejtësi duke tërhequr me vete të dy vëllezërit që ishin duke shkuar për në shkollë. Një kalimtar i rastit pasi ka vërejtur se si dy fëmijët po mbyteshin u hodh për t’i ndihmuar, mirëpo arriti të shpëtojë vetëm njërin prej tyre.

Artikulli paraprakIsh-luftëtarë të UÇK-së mercenarë edhe në Ukrainë (Video)
Artikulli vijuesKoreja e Veriut teston disa raketa me rreze të shkurtër