Doganat e Kosovës lejojnë futjen e lodrave kancerogjene në treg (Dokumente)

Një numër i madh i lodrave, të cilat depërtojnë në tregun kosovar nëpërmjet Doganave të Kosovës, nuk përmbushin standardet e kërkuara. Express ka siguruar një raport të një instituti italian, ku konstatohet se këto lodra mund të jenë kancerogjene. Në dogana thonë se nuk janë kompetentë, ndërsa në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thonë se përgjegjësia e tyre është vetëm për tregun e brendshëm, ndërsa doganat duhet verifikuar mallin para se të lejohet të kalojnë në treg. Megjithatë, këto lodra kanë hyrë brenda tregut kosovar. E kujt është përgjegjësia?

Jo vetëm gruri dhe produktet ushqimore futen në tregun kosovar duke kaluar nëpërmjet doganave edhe pse nuk përmbushin standardet dhe kanë cilësi të dobët. Janë edhe disa lloje të lodrave për fëmijë të cilat kanë depërtuar në treg edhe pse nuk i plotësojnë kushtet. Madje, ato edhe mund të sjellin pasoja shëndetësore tek fëmijët, pasi që mund të jenë kancerogjene.

Gazeta Express ka siguruar disa dokumente të Institutit Italian për Sigurinë e Lodrave, ku tregohen analizat e bëra për disa lloje të lodrave që janë importuar në Kosovë, dhe ku del se një numër i madh i këtyre lodrave nuk i plotësojnë kushtet për të depërtuar në treg dhe janë të papërdorshme.

Përgjegjësinë për këtë, Doganat e heqin prej vetës duke u kaluar kompetencat tek inspektorati i tregut të MTI’së. Megjithatë, edhe këta të fundit një pjesë të përgjegjësisë e kthejnë përsëri në dogana, pasi sipas MTI, përgjegjësia e tyre është për mbikëqyrjen e brendshme të tregut ndërsa doganat autorizohen për verifikimin e produkteve para se ato të hynë në treg.

“Me dispozitat e nenit 31 të Ligjit Nr.04/L-039 Për Kërkesat Teknike të Produkteve dhe Vlerësim të Konformitetit, është përcaktuar se Dogana e Kosovës është e autorizuar për të kryer verifikimin e produkteve para importit, kurse mbikëqyrjen e tregut të brendshëm e bënë inspektorati i tregut.

Kurse sa i përket përgjegjësisë, me ligjet në fuqi përgjegjës për vendosjen e lodrave të pasigurta në tregun e brendshëm janë importuesit/distributorët ku ndaj tyre janë ndërmarr masat e përcaktuara në ligjet në fuqi si: ndalje e importit, asgjësim të lodrave si dhe ndaj operatorëve ekonomik në fjalë janë iniciuar procedura kundërvajtëse në Gjykatat kompetente”, thuhet në përgjigjet e MTI’së për Express.

Tutje, Ministra e Tregtisë dhe Industrisë sqaron se “me ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe Rregulloren për Sigurinë e Lodrave është përcaktuar se importuesi para vendosjes së një lodre në treg duhet të siguroj që prodhuesi ka kryer procedurat e duhura për vlerësim të konformitetit, gjithashtu importuesi ka për obligim që lodrat e importuara duhet të jenë të shoqëruara me dokumentacionin teknik (raportet e testimit, certifikata dhe deklarata e konformitetit, shënjimi me shenjën CE dhe udhëzuesin e përdorimit), në bazë të së cilave sigurohemi që produkti lodër i përmbush kërkesat e sigurisë të përcaktuar në Standardet dhe ligjet në fuqi dhe të njëjtat lejohen për qarkullim të lirë në tregun e Kosovës”.

Ndërsa, në rastin konkret për të cilin raporton Express, nga MTI thonë se Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Institutin Italian kanë marr disa mostra të lodrave në pikat doganore (akoma pa hyrë në tregun e Kosovës) dhe të njëjtat janë dërguar për testim në institutin Italian, me ç‘rast sipas raportit, disa lodra të testuara kanë rezultuar jo konform me kërkesat e sigurisë. E për lodrat në fjalë , sipas Inspektorat të MTI’së, është kërkuar tërheqja e tyre nga tregu dhe po ashtu një pjesë e tyre edhe janë konfiskuar.

“Gjithashtu inspektorati i tregut ka kërkuar nga Dogana e Kosovës që të rritet fokusimi në verifikimin /kontrollimin e lodrave para importit. Kurse Inspektorati i Tregut ka inspektuar operatorët ekonomik të cilët merren me importin/shpërndarjen e lodrave në tregun e brendshëm dhe me këtë rast janë sekuestruar 307 lodra”, thuhet në përgjigjet e dhëna për Express të inspektoratit të MTI’së.

Megjithatë, lodra për fëmijë të cilat nuk plotësojnë kushtet për tregun dhe nuk kanë kaluar testet fizike dhe mekanike në analizat e institutit shtetëror italian kanë hyrë në Kosovë, janë shitur në treg dhe kanë arritur deri në duart e fëmijëve edhe pse dëmet shëndetësore për ta mund të jenë të mëdha dhe kancerogjene.

 

Artikulli paraprakFalen midis Anfield Roadit, marrin mbrojtje nga tifozët e Liverpoolit (Foto)
Artikulli vijuesJa çfarë ndodh me trupin kur lini duhanin