“Gjin Aleks”, a mund të jetë ky një emër xhamie?!

Ndër gjërat më të rralla që posedon toka shqiptare është dhe ajo e një xhamie me emër unikal: e Gjin Aleksit! Pra, xhami me emër të krishterë, ku pjesa e parë, emri Gjin, është katolik; ndërsa mbiemri, Aleks, është ortodoks.

Kaq do mjaftonte që aty të dyndeshin turistë, por në realitet aty nuk qaset askush, edhe pse ndodhet po në të njëjtën distancë larg Sarandës sa dhe Syri i Kaltër, afro 16 km. Pra, në zonën më të nxehtë turistike, por që nuk e gëzon fatin të vizitohet.

xhamia nga jashte

Gjin Aleksi është në zemër të fshatit Rusan, ngjitazi me qytetin e Delvinës, fshat prej nga e ka origjinën dhe një prej emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare, Limos Dizdari.

Si monument atë kemi mundur ta shohim tek filmi “Njeriu me top”, ku në oborrin e xhamisë, Tosum Baçi akuzonte partizanët që kishin qëlluar me top Fizët; e ku Shega, e motra e Fahredinit, e cila ushqente dhe një dashuri të fshehur për Murat Shtagën, morri vendimin për të shkuar në mal si partizane, gjë për të cilën hallë Esmaja e quajti një goxha pelë.

Interesant është fakti se për xhaminë e rrallë që mban një emër të krishterë – vështirë të ketë të dytë në botë – dihet shumë pak gjë. Nuk dihet kryesorja, se pse quhet Gjin Aleks. Në një enciklopedi të zonës me autorësi të Apostol Pangos, historian lokal, thuhet vetëm se ajo është ndërtuar në rrënojat e një kishe aty nga shekulli i 17-të. Pra, nuk jepet asnjë e dhënë për misterin e madh që ajo shpërfaq: emrin Gjin Aleks. Kësaj nuk i japin dot përgjigje as drejtues të Myftinisë së zonës.

xhamia, pamja ballore

Nga njerëzit e thjeshtë të atyshëm, dominon versioni hipotetik se mundet që Gjini të ketë qenë ndonjë i krishterë i konvertuar, që e ka kthyer më pas kishën në xhami; por autoritetet fetare, qoftë dhe studiues lokalë, druhen ta thonë këtë.

Po dhe nëse është kjo, përse Gjini si i krishterë katolik na rezulton me mbiemër ortodoks, Aleks?! Është ky pra një tjetër mister i kësaj xhamie të rrallë, që deri më sot nuk ka marrë dot përgjigje.

Xhamia e Gjin Aleksit është Monument Kulture. Vëmendja e shtetit deri më tani ndaj saj,ka qenë e përqëndruar tek ndonjë meremetim, si fjala vjen çatia, dhe kaq.

xhamia brenda

Ajo ka mbetur ashtu, me pamje gjysëm të rrënuar, edhe nga fakti se aktiviteti i atyshëm fetar është i rrallë. Më së shumti ajo hapet në ditë xhumaje, ku vjen e ligjëron një hoxhë në moshë relativisht të re, po ashtu me emër të pazakontë për një figurë fetare, hoxhë Brulindi.

Por ajo që dhemb më tepër është mospërfshirja e saj në atraksionin e madh turistik të zonës. Tek ky monument i rrallë autoritetet  të fushës kanë shfaqur defektin gjenetik shqiptar në paaftësinë për të promovuar vlerat e trashëgimisë, edhe për interes ekonomik.

zgavra

Supriza për dhe faktin që ngjitazi xhamisë ndodhet një rrap shekullor me një zgavër fantastike të shkaktuar nga rrufeja, që dhe ajo duket sikur plotëson konturet e një hapësire vërtet tërheqëse.

oborrri

Rruga gjer aty është e shtruar, por vetë monumenti, xhamia e rrallë pra me emër të krishterë, është lënë pas dore. Një oborr bajagi i këndshëm prej hijes së një lisi e me plot gjelbërin rretherrotull, është katandisur në një gjendje të mjerë.

Dhe Gjin Aleksi, ky monument unikal nuk e meriton këtë. Aq më shumë lënien në mister, pas lënies në harresë./Tesheshi

Artikulli paraprakNë mungesë të kushteve për të kryer haxhin, dhuron tokën për xhami, varreza e rrugë (Foto)
Artikulli vijuesGjatë një ceremonie inaugurimi, Erdogani përjetoi një moment të papritshëm (Foto)