9 Maji dhe konteksti i ri

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI

Protesta e 9 majit është hera e parë që në Maqedoni janë tubuar aq shumë shqiptarë në një aksion antiqeveritar dhe kundër partisë shqiptare në pushtet, me çka, përveç që shënuan Ditën Evropës, përkujtuan ngjarjen e Kumanovës dhe protestuan për vlerat universale Drejtësi, Dinjitet dhe Demokraci – aq shumë të munguara në mjedisin tonë, i kanë edhe dërguar dy mesazhe shumë të rëndësishme: 1) shqiptarët janë kundër këtij regjimi dhe kërkojnë rikthimin në agjendën euro-integruese dhe 2) shqiptarët e kanë delegjitimuar partinë shqiptare në pushtet.

Janë bërë gati 15 vjet qëkur shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë shfaqur pakënaqësi dhe revoltë ndaj përfaqësuesve politikë si kjo që ndodhi më 9 maj të këtij viti. Dhe, pas një letargjie të gjatë që e kishte mbërthyer shoqërinë shqiptare, kur shqiptarët e rëndomtë numëronin dështimet, ndërsa partia shqiptare në pushtet numëronte eurot, më në fund kjo shpërtheu në revoltë gjithëpopullore më 9 maj 2016, në protestën “Dita D: Drejtësi, Dinjitet, Demokraci”.

Organizatori i kësaj proteste, Këshilli Opozitar (një trup që përfshin dy parti politike – BESA dhe PPD, disa OJQ dhe disa personalitete), qysh para do kohe kishte shpërndarë një platformë politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedonisë, ndërsa kësaj radhe ia kishte vënë vetes për mision që kjo protestë të jetë sa më masovike, që ashtu ta artikulojë fuqishëm zërin e asaj platforme. Dhe, falë aktivistëve të partive politike që e përbëjnë strumbullarin e saj (por, edhe mbështetjes së partive të tjera opozitare dhe sektorit civil), në dy javët e fundit para protestës u krijua aso opinioni që shqiptarët e Maqedonisë nuk kishin krijuar që nga protestat PËR intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999. Atëbotë protestat ishin kundër Millosheviqit, ndërsa kësaj radhe kundër Gruevskit – për arsye shtetërore dhe kundër Ahmetit – për arsye shqiptare.

Dhe, ata që duan ta shohin gotën gjysmë të zbrazët, që janë ziliqarë ose që ashtu veprojnë për shkak të agjendave të tyre, në vend që të merren me faktet më të rëndësishme të këtij tubimi me përmasa historike për shqiptarët e Maqedonisë, edhe në këtë rast luajtën rolin e argatit të partisë shqiptare në pushtet, duke u marrë me tema periferike, si puna e protokollit dhe rendit të protestës (që kanë qenë e drejtë ekskluzive e organizatorit dhe jo e pjesëmarrësve) e duke e anashkaluar kështu faktin e madh se kjo protestë ka krijuar një kontekst të ri politik në Maqedoni, në përgjithësi, dhe i ka dhënë një pamje dhe dinamikë tjetër skenës politike shqiptare në Maqedoni, në veçanti.

Protesta e 9 majit është hera e parë që në Maqedoni janë tubuar aq shumë shqiptarë në një aksion antiqeveritar dhe kundër partisë shqiptare në pushtet, me çka, përveç që shënuan Ditën Evropës, përkujtuan ngjarjen e Kumanovës dhe protestuan për vlerat universale Drejtësi, Dinjitet dhe Demokraci – aq shumë të munguara në mjedisin tonë, i kanë edhe dërguar dy mesazhe shumë të rëndësishme: 1) shqiptarët janë kundër këtij regjimi dhe kërkojnë rikthimin në agjendën euro-integruese dhe 2) shqiptarët e kanë delegjitimuar partinë shqiptare në pushtet. Për këtë të fundit do të themi se asnjë partie shqiptare në pushtet (që nga PPD-ja) nuk i ka ndodhur aq shumë popull në shesh kundër saj.

Dhe, kjo do të duhej të vihej re nga ata analistë që dinë të merren me gjëra periferike në vend të këtij fakti qendror. Të dalin 30 mijë shqiptarë në rrugë dhe të thonë se janë kundër regjimit “VMRO-BDI” ose të brohorasin “Nuk dua BDI – dua drejtësi”, kjo flet se qytetaria shqiptare në Maqedoni ka evoluar mjaftueshëm dhe se shqiptarët tashmë janë të zotët të përdorin këso mekanizmash demokratike për t’i delegjitimuar përfaqësuesit politikë dhe për të dhënë sinjal se skena politike shqiptare tashmë ka pësuar ndryshime serioze dhe se në zgjedhjet e ardhshme kjo do të reflektohet dukshëm.

Momenti i dytë, që do të duhej të vlerësohet si mesazh i kësaj proteste është se, pas 15 vitesh të qeverisjes së BDI-së, kur shqiptarët ankoheshin se nuk ka opozitë dhe prandaj BDI-ja fitonte, më në fund u bë edhe opozita shqiptare. Pavarësisht se disa parti pjesëmarrëse në protestë kanë vërejtje për Këshillin Opozitar dhe nuk deshën të rreshtohen pas tij, pavarësisht se edhe Këshilli Opozitar e përdori të drejtën e tij që në protestë të përfaqësohet nga parti që janë pjesë e tij, e rëndësishmja është që atë ditë aty ishte gjithë opozita shqiptare. Dhe, kjo prani flet se shqiptarët po mësohen ta bëjnë edhe opozitën. Edhe nëse kanë inate dhe ego mes vete, ata do ta bëjnë opozitën. Kjo është një pjekuri politike, që nuk e kemi pasur dhe hasur më herët.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme si mesazh i kësaj proteste, ishte se – përkundër faktit që gjatë gjithë kohës Lëvizja BESA është etiketuar dhe vazhdon të etiketohet me turrli-turrli akuzash – ishte struktura e saj ajo që e ngjeshi brumin e kësaj proteste. Që të mos jem ekskluziv, e kam patjetër ta them se në protestë pati shumë njerëz që nuk janë detyrimisht simpatizues të BESËS, madje edhe anëtarë e drejtues të partive të tjera opozitare shqiptare, por e vërteta e madhe që dukej sheshazi ishte se masën më të madhe të protestuesve e krijoi BESA. Dhe, kur kihet parasysh se kjo nuk i ka shkuar për dore asnjë partie tjetër opozitare shqiptare (as më parë e as këtyre sot), do të duhej të ishte lajm i rëndësishëm se BESA është bërë vërtet një lëvizje popullore, që arrin ta mobilizojë rininë shqiptare, familjet shqiptare, që arrin ta organizojë protestën në nivelin më të lartë të sigurisë dhe ikonografisë kombëtare, evropiane e amerikane dhe, pavarësisht se a i pëlqen dikujt kjo, nëse shqiptarët e kanë për synim që ta mundin të keqen e quajtur BDI, duhet ta kenë të qartë se tashmë mjeti mbase më i mirë dhe më i fuqishëm që të bëhet kjo është pikërisht Lëvizja BESA. Dhe, këtë nuk e them vetëm nga arsye subjektive – sepse jam anëtar i këtij subjekti, por edhe nga fakti se asnjë parti tjetër shqiptare sot nuk arrin të mobilizojë aq shumë njerëz (edhe përkundër përpjekjeve). Për këtë arsye duhet të respektohet fuqia organizative e BESËS.

Unë e di se kjo së pari nuk i pëlqen VMRO-së, e cila i fillon dhe mbaron lajmet në Sitel me akuza ndaj BESËS, sigurisht që nuk i pëlqen as BDI-së, e cila pas kësaj proteste e sheh se BESA seriozisht po ia gërryen dheun nën këmbë, por për fat të keq – në stilin “më vdektë djali për shkak të nuses” – kjo nuk është pranuar mirëfilli as nga të gjitha partitë opozitare shqiptare. Në vend që të respektohet ky fakt dhe ato të afrohen për bashkëpunim pa protagonizëm e shou publike, ka ende struktura që vazhdojnë t’i përdorin megafonët e ndryshëm që ta defokusojnë suksesin e kësaj proteste në gjëra periferike. Kjo, për fat të keq, i ka shqetësuar edhe disa analistë, që gjatë gjithë kohës kanë folur se nuk ka fuqi që e mund BDI-në, ndërsa sot janë shqetësuar se mund të jetë BESA ajo forcë që do ta mundë atë. Natyrisht, kjo protestë do të duhej të vlerësohej edhe si interes në plan gjithëkombëtar dhe shtetet shqiptare ta vinin re këtë fakt. Sepse, shtetet serioze, edhe kur nuk pajtohen me dikë e me diçka, megjithatë komunikojnë dhe synojnë të ndikojnë ose të përfitojnë nga një zhvillim shoqëror.

Dhe, për fund, janë edhe dy mesazhe që duhet vënë re për identitetin e shqiptarëve të Maqedonisë, ndërsa edhe ato buruan po nga kjo protestë. Derisa i shikoja fotografitë e protestës, përveç fotove të njerëzve me karroca, me bastunë, me paterica etj., që më kanë emocionuar dhe entuziazmuar pa masë, më bënë përshtypje veçmas dy foto: një çift i moshës mbi 50 vjeç (gruaja me shami) kishin dalë në protestë, me ç’rast burri mbante flamur kombëtar shqiptar, ndërsa gruaja e kishte flamurin e BE-së dhe, fotografia e dytë, një vajzë e re me shami, që kishte veshur një bluzë të kuqe me shqiponjën e zezë dykrerëshe në gjoks, duke e valuar në dorë një flamur kombëtar. Edhe këto imazhe janë ajo që e ka sjellë BESA në skenë: familjet shqiptare protestojnë me agjendë shqiptare e evropiane dhe shqiptarët myslimanë të Maqedonisë, të njohur deri vonë – edhe me paragjykime – si konservatorë, madje edhe ekstremistë, identitet politik e kanë shqiptarinë. Për ata që marrin vesh ose që duan të marrin vesh, e aq më shumë për ata që deklarojnë se e kanë dertin e çështjes shqiptare në Maqedoni, këto janë pika të rëndësishme që do të duhej analizuar dhe duhet mbajtur shënim, sepse krejt këto kanë ndërtuar një kontekst të ri të qytetarisë shqiptare në Maqedoni dhe të zhvillimit të identitetit etnik e politik të shqiptarëve në Maqedoni.

Po e përfundoj këtë tekst me një thënie, që – ngaqë shpesh është përsëritur – mund të duket patetike, por që i shkon këtij fundi: njerëzit shumë të vegjël merren vetëm me vetveten, të vegjlit me të tjerët, të mesmit merren me ngjarjet, ndërsa të mëdhenjtë me idetë.

Sinqerisht do të doja të shoh më shumë shqiptarë që merren me ide sesa me protokolle organizimi dhe çështje të sigurimit.

Artikulli paraprakKim Mehmeti: “E dija se protesta madhështore e 9 Majit do i ‘çmendë’ vasalët shqiptarë, por jo edhe…!”
Artikulli vijuesNë 24 orët e fundit janë arrestuar 80 migrantë, të cilët kanë hyrë ilegalisht në Maqedoni