Garry Kasparov ka qenë lojtari më i mirë i shahut për një periudhë 20 vjeçare. I trajnuar në Bashkimin Sovjetik, ai është bërë trajner i shumë lojtarëve të rinj, një promotor i sportit dhe një zë kritik si për korrupsionin në Federatën Botërore të Shahut, ashtu edhe për qeverinë e Rusisë.
Në këtë intervistë të shkurtër, ai jep disa këshilla të vlefshme për çdo fushë dhe situatë të jetës, pra sigurisht që mund të përdoren edhe në biznes.
Cfarë mund të mësojnë njerëzit që merren me biznes nga lojtarët më të mirë të shahut?
Në shah, futboll, basketboll, biznes, politikë, luftë, ne marrim vendime. Disa janë të mira, disa jo edhe aq. Rruga për t’u përmirësuar është të kthejmë kokën pas dhe t’i analizojmë këto vendime. Shumë njerëz mendojnë se nëse diçka funksionoi dje dhe vazhdon të funksionojë sot, do të vazhdojë kështu edhe nesër. Ky është arsyetim i gabuar, sepse pala tjetër që është duke humbur do të vijë me një strategji të re. Unë kam ndenjur në majë për 20 vjet sepse e kam ditur që edhe nëse fiton, ka prapë gjëra që duhet të mësosh. Nuk ekziston loja perfekte dhe mos mbështjetja në famën që ke është një mësim i rëndësishëm.
Si i analizoni kundërshtarët?
Në shah, është e thjeshtë. Ti sheh lojën e tyre ashtu siç sheh edhe tënden. Ai bën këtë, bën atë, ai pëlqen këtë, nuk pëlqen atë. Edhe nëse dy kampionë janë përafërsisht në të njëjtin nivel, përsëri ka disa pozicione ku njëri ndihet më rehat. Kështu që në strategjinë e hapjes, përdor një të tillë që ta çosh kundërshtarin në një territor të parehatshëm për të.
Çfarë ju ka ndihmuar më tepër – talenti i lindur apo eksperienca dhe përgatitja?
Pa talentin e lindur, nuk ke ku shkon gjëkundi. Por edhe puna e madhe është pjesë e talentit. Dëshira për të qenë gjithmonë inovator në shah ka qenë shumë e rëndësishme për mua. Unë nuk doja thjesht të fitoja një lojë dhe të impresionoja kundërshtarin, por doja edhe të sigurohesha që po mësoja diçka të re.
Si ju ka ndihmuar rivaliteti i hershëm me Anatoly Karpov?
Për të zbuluar se çfarë je në gjendje të bësh, të nevojiten kundërshtarë të fortë, madje edhe më të mirë se ty. Është si një hekur në flakë. Kur shtypet në një temperaturë shumë të lartë, ose thyhet ose kthehet në çelik. Në ndeshjen e parë më Karpov unë isha duke u mundur 5-0, atij i duhej edhe një fitore për të më hequr qafe. Unë mbijetova dhe rezultati shkoi në 5-3. Karpov u lodh së tepërmi psiokologjikisht dhe ndeshja u ndërpre. Unë demostrova që kisha burime të mëdha në shah. Mësova se gjithçka ishte në duart e mia.
Çfarë këshille u jepni njerëzve që stërvisni?
Ekziston kjo ideja e sotme që është e mundur të jepen këshilla universale. Por ne jemi të gjithë të ndryshëm. Procesi i vendim-marrjes tënde është po aq unik sa shenjat e gishtërinjve apo ADN-ja. Diçka që funksionon për ty, mua mund të më sjellë pasoja negative. Prandaj duhet që secili të shohë brenda vetes. Disa prej nesh janë më agresivë, disa më të mbrojtur. Disa lojtarë tenisi preferojnë të luajnë në vijën e pasme të fushës, disa të tjerë të dalin pranë rrjetës. Të dy palët mund të jenë kampionë. E rëndësishme është të kuptosh se cili je, çfarë je në gjendje të bësh apo të mos bësh dhe më pas të mundohesh të ndërtosh një lojë, apo një marrëveshje, apo një fushatë, në të cilën pikat e forta do të jenë faktorë kryesorë, ndërsa të dobëtat duhet të fshihen. Mbani mend se nuk ka rendësi se sa kohë shpenzon për t’u përgatitur. Në fund të fundit, vendimet më të rëndësishme do të merren në një presion të madh kohe, që do të thotë duhet të veprosh sipas instikteve. Nëse je tip që luan në mbrojtje, nuk do të mundesh të jesh i suksesshëm nëse vendos të luash në sulm, nuk mund të dalësh kundra natyrës që ke. Prandaj sigurohu që të bësh lojën tënde. Ai që tregohet më i aftë që këtë lojë ta përshtasë me natyrën e tij, do të triumfojë./kumti.com