Heronjtë e kombit Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu janë përkujtuar sot me një akademi përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të rënies.
Akademia e cila u mbajt nën patronatin e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, e i cili nuk ishte prezent mblodhi në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, bashkëluftëtarë të heronjve, familjarë, zyrtarë qeveritarë dhe komunalë, por jo edhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
Ndonëse akademia u shty për gjysmë ore për ta pritur presidentin, ai nuk erdhi në këtë akademi. Folësit në këtë akademi thanë fjalë të mëdha për heronjtë që ranë në altarin e lirisë para dy dekadash si dhe vlerësuan të arriturat e shtetit pas çlirimit, por njëjtë nuk thanë edhe anëtarë të familjeve të tre të rënëve. E motra e dëshmorit Edmond Hoxha, Lumnije Rama tha se ideali për të cilën ka luftuar vëllai i saj me shokët e tij nuk është realiteti i sotëm që aktualisht është në Kosovë.
Sipas saj ata e donin Kosovën të bashkuar e jo të copëtuar.
“Zahiri, Edmondi, Hakifi kanë dëshmuar vullnetin e vet, mirëpo realiteti i jetës që e kemi ne nuk është ideali i tyre. Ata nuk e donin Kosovën të copëtuar, nuk e donin burgosjen e luftëtarëve, nuk e donin rininë që në momentin e parë të largohej nga Kosova. Ne i përkujtojmë dhe përkulemi para të gjithë dëshmorëve të rënë për liri, duke marr forcë që të angazhohemi për një popull për një Kosovë që ata deshën para 20 viteve”, tha Rama.
Për veprën dhe heroizmin e Zahirit dhe bashkëluftëtarëve të tij ka folur ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa.