Arabia Saudite planifikon të ndërtoj mega-qytetin, në të cilin do të investoj 500 miliardë dollarë nën patronazhin e princit Mohammed bin Salman, si pjesë e paketës së reformave për të sjellë “islamin e moderuar”.
Gjatë të martës, Salman zbuloi projektin e ri: “qyteti do të quhet Neom, dhe do të ndërtohet në bregun veriperëndimor në Detin e Kuq”, transmeton Telegrafi.
“Në Neom dëshirojmë të krijojmë diçka të re… jemi duke mbledhur novatorë nga e gjithë bota për ta krijuar atë”, ka thënë Salman gjatë një konference të investitorëve në Riad.
Qyteti, i cili sipas planeve do të zgjerohet në Egjipt dhe Jordan, do të mbulojë një sipërfaqe prej 26.500 kilometrave katrorë. Sauditët gjithashtu synojnë të ndërtojnë një “urë të re të mrekullueshme” midis Egjiptit dhe Arabisë Saudite që do të “lidh Azinë me Afrikën”.
Për pozitën e drejtorit ekzekutiv të projektit Neom është emëruar Klaus-Kristian Kleinfeld, i cili nga viti 2005 deri më 2007 ka qenë njeriu kryesor në kompaninë Siemens në Gjermani.
“Flasim për 26.500 kilometra katrorë. Kur themi qytet, në fakt nuk bëhet fjalë për një qytet, pasi brenda tij do të ketë shumë qytete e fshatra”, ka shpjeguar Kleinfeld gjatë konferencës.
Ky projekt do të sjellë “para me tonë në një mënyrë interesante”, ka shtuar ai. /Telegrafi