Këta janë politikanët kosovarë që i ruajnë paratë në bankat jashtë shtetit

Janë deputetë të Kuvendit të Kosovës, por edhe zyrtarë tjerë të lartë të institucioneve që parat e tyre nuk po i ruajnë në vendin tonë, por ato po i mbajnë në banka të Amerikës, Zvicrës, Norvegjisë, Anglisë, të Australisë

Vjosa Osmani, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvendin e Kosovës, në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) ka vetë-deklaruar se përpos mjeteve që ajo i ka të depozituara nëpër bankat kosovare, ka një shumë të konsiderueshme të mjeteve edhe në bankat në Australi.

 

Po në këtë shtet Osmani ka deklaruar se posedon edhe patundshmëri.

Ajo ka deklaruar se në “Commonweth Bank of Australia- CBA” ka të depozituara 39.769.86 euro. Po ashtu në këtë bankë ajo ka deklaruar se ka të depozituara edhe 1.800 euro mjete të kursyera të fëmijëve të saj.

Para të depozituara në banka jashtë shtetit ka edhe deputeti aktual i lëvizjes “Vetëvendosje” Sami Kurteshi, i cili para se të vijë në këtë pozitë për një mandat ka qenë edhe avokat i Popullit.

Kurteshi në formularët e AKK-së ka deklaruar se në “Post, Depozito Zvicër” ka të depozituara 15 mijë euro.

Ai po ashtu rreth 100 mijë euro të tjera i ka të depozituara nëpër bankat komerciale që operojnë në vendin tonë.

Po ashtu para të depozituara nëpër banka jashtë shtetit ka deklaruar se ka edhe deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu. Ky i fundit gjatë fushatës parazgjedhore kishte garuar si kandidat i Aleancës Kosova e Re, mirëpo pas hyrjes së AKR-së në Qeveri ky ka mbetur si deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës.

 

Sejdiu në formularët e AKK-së në “Cenury Savis Bank” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka të depozituara më shumë se 90 mijë dollarë.

Një shumë të mjeteve Sejdiu po ashtu e ka të depozituara në 7 llogari në dy banka komerciale që operojnë në vendin tonë.

Po ashtu depozita në Zvicër ka edhe deputeti tjetër i lëvizjes “Vetëvendosje”, Faton Topalli. Ai në formularët e AKK-së ka vetëdeklaruar se në 4 llogari të ndryshme në bankat zvicerane ka më shumë se 40 mijë, pa precizuar nëse behët fjalë për euro apo për franga zvicerane.

Po ashtu një shumë të konsiderueshme të mjeteve, prej 85 mijë eurosh, jashtë vendit i ka të depozituara edhe deputeti tjetër i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Ai në formularët e deklarimit të pasurisë ka deklaruar se paratë i ka të depozituara në “DNB Bank”, në Oslo të Norvegjisë.

Po ashtu para jashtë vendit ka edhe Violeta Arifi – Krasniqi, drejtoreshë e Fondit të Sigurimit të Depozitave në Kosovë. Ajo ka deklaruar se nëpër banka të Britanisë së Madhe ka të depozituara mbi 12 mijë funte

Jashtë vendit po ashtu mjete të depozituara ka edhe Adrian Zalli, drejtor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Ai në formularët e AKK-së ka deklaruar se në “Chase Bank” në Amerikë ka 16.074, pa precizuar nëse bëhet fjalë për euro apo për dollarë.

Po ashtu edhe Vërshim Hatipi, zëvendësdrejtor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka deklaruar se në “Natwest”, Britani e Madhe, ka 1.300.00 euro dhe 11.700 euro letra me vlerë. /Zeri/

Artikulli paraprakVëllezërit Ramadani dhe Arben Kiqina, lirohen nga burgu pas 15 vitesh
Artikulli vijuesMajko:Paqja e Kosovës kalon nga harku i Gjykatës Speciale. Harku i saj nuk ka triumf.