SHBA ka mbajtur pozitën e parë si kombi më i fuqishëm në botë, pavarësisht rënies së respektit ndaj lidershipit të saj.
Kjo thuhet sipas US News dhe Raportit Botëror, i cili ka lëshuar edicionin e fundit të studimit të tij vjetor, të titulluar “Vendet më të mira”.
80 vende u vlerësuan në bazë të historisë, kulturës, qytetarisë dhe kualitetit të jetës. Një tjetër vlerësim kyç ishte “fuqia”, që përcaktonte se sa i fuqishëm ekonomikisht, ushtarakisht dhe politikisht ishte një vend.
Dhe kjo është lista me 23 kombet më të fuqishme në botë:
23. Katari – Një nga disa prej kombeve të Lindjes së Mesme në këtë listë, Katari është vendi më i pasur në botë falë naftës.
22. Spanja – “Ngjitja në Bashkimin Evropian më 1986 ishte një fillim i modernizmit të infrastrukturës së Spanjës, industrisë dhe ekonomisë”, thuhet sipas US News.
21. Holanda – Shtëpi e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në Hagë, Holanda luan një rol të rëndësishëm në botë.
20. Pakistani – Paqëndrueshmëria politike, korrupsioni dhe problemet me ekstremizëm e kanë lënë prapa Pakistanin në listën e fuqisë.
19. Suedia – Pavarësisht rrënjëve ushtarake, Suedia ka vendosur të mos investojë në forcat e saja të armatosura por të përkushtohet në të drejtat e njeriut dhe jetën më të mirë të qytetarëve. Kjo ka bërë që ky komb të fitojë respekt në botë, por kjo ka kontribuar në mungesë të fuqisë së saj.
18. Italia – Edhe pse Italia u përball me një vit të keq politik me dorëheqjen e Kryeministrit Matteo Renzi dhe rindërtimin e qeverisë, ky vend ka mbetur në këtë listë përderisa ka ekonominë e tretë më të fuqishme në eurozonë, transmeton Gazeta Express.
17. Australia – Edhe pse është vendosur relativisht ulët për fuqinë dhe ndikimin global, Australia doli e katërta në kategorinë për kualitetin e jetës.
16. India – Demokracia më e madhe e botës, India ishte gjithashtu vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike për shumicën e vitit 2016. Por krizat e fundit kanë ndikuar shumë në ekonominë e saj, duke bërë që ky vend të humbasë 11 miliarderë.
15. Zvicra – Ky komb i vogël evropian u emërua vendi më i mirë në botë për të jetuar. Është kombi i 11-të më i pasur në botë në termat e GDP-së dhe është shumë tërheqës ndaj bizneseve falë taksave të ulëta.
14. Irani – Irani “ka qenë gjithmonë në interes të fuqive botërore për shkak të vendndodhjes strategjike në Lindje të Mesme dhe pasurisë së tij me naftë dhe burimeve të tjera natyrore”, thuhet sipas US News.
13. Turqia – Turqia është portë mes Lindjes së Mesme dhe Bashkimit Evropian, dhe marrëdhënia mes këtyre dyjave është shumë e rëndësishme përderisa konfliktet në vendet pranë po vazhdon. Në shtator, Sekretari Britanik i Shtetit tha se Britania mund ta mbështesë Turqinë në luftën e gjatë të saj për t’iu bashkuar BE-së, por tensionet në rritje mes Turqisë dhe disa vendeve të BE-së mund ta ngadalësojnë këtë progres.
12. Kanadaja – Kanadaja u emërua vendi i dytë më i mirë në botë për të jetuar, por fuqia e saj nuk doli të jetë e madhe, edhe pse është partneri kyç i SHBA-së.
11. Koreja e Jugut – Një marrëdhënie e diskutueshme me fqinjin e saj të izoluar në veri ka bërë që Koreja e Jugut shpesh të marrë mbështetje ushtarake dhe politike nga superfuqitë e botës. Ky vend është një nga rezervat më të mëdha të investimeve të huaja në botë dhe gjithashtu eksportuesi i gjashtë më i madh në botë.
10. Emiratet e Bashkuara Arabe – EBA është një nga importuesit më të mëdhenj të armëve, pas Arabisë Saudite, është shteti i dytë arab me buxhetin më të madh të mbrojtjes.
9. Arabia Saudite – Rezervat e naftës kanë bërë që ky vend të bëhet një nga kombet më të pasur dhe më të fuqishëm në Lindje të Mesme.
8. Izraeli – Për një vend me një popullsi prej vetëm rreth 8 milionë, Izraeli ka një ndikim të madh në botë. Pavarësisht konfliktit të vazhdueshëm palestinez, kombi çifut ka një ekonomi të fuqishme dhe një nivel të lartë të edukimit.
7. Japonia – Një nga kombet më të avancuara në teknologji, Japonia ka ekonominë e tretë më të madhe në botë.
6. Franca – Me një GDP të lartë, Franca ka një nga ekonomitë më të mëdha në Evropë dhe është një nga eksportuesit më të mëdhenj të armëve. Ndikimi i Francës zgjerohet nëpër botë “përmes shkencës, politikës, ekonomisë dhe përveç tjerash, kulturës”, shkruan US News.
5. Gjermania – Shpesh e parë si një central ekonomik i Evropës, kombi më i famshëm i kontinentit ka një rol të madh në botë dhe është bërë shumë i rëndësishëm pas bashkimit më 1990.
4. Mbretëria e Bashkuar – “Mbretëria e Bashkuar është një komb shumë i zhvilluar që tejkalon ndikimin ekonomik, politik, shkencor dhe kulturor”, shkruan US News. Edhe pse nuk dihet se si do të ndikojë largimi në BE, duket se i ka qëndruar mjaft mirë tronditjes nga rezultati i referendumit.
3. Kina – Ngritja e Kinës është e jashtëzakonshme. Shtëpi e 1.4 miliardë njerëzve, ky vend tashmë ka ushtrinë më të madhe në botë dhe ekspertët parashikojnë se do të ketë ekonominë më të madhe në botë deri më 2050.
2. Rusia – Rusia shfrytëzoi përparësinë që ka në burimet natyrore për t’u bërë një nga kombet më të pasura në botë. Shpenzimet e saj ushtarake si përqindje e GDP-së së saj vazhdojnë të tejkalojnë atë të vendeve brenda NATO-së me një distancë të konsiderueshme. Aktualisht shpenzon 5.4% të GDP-së vjetore në mbrojtje – përderisa një shtet në NATO shpenzon 3.3%.
1. SHBA – Rreth 75% e të anketuarve thanë se kanë humbur “pak respektin” për lidershipin e SHBA-së pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, por vendi ende radhitet si më i fuqishmi në botë. Ndikimi ekonomik, politik, kulturor dhe artistik i këtij kombi i jep formë botës, me një buxhet prej 600 miliardë dollarë në mbrojtje dhe ekonominë e saj më të madhe në botë.