Të gjitha fenomenet që janë duke ndjekur shfaqjen e një ‘flluske sapuni’ janë të pranishme”, tha për radio “Deutschlandfunk”, Thomas Mayer, njëri nga ish-krerët e “Deutsche Bank”: “Këto flluska nuk dalin nga asgjëja.
Njerëzit para së gjithash kanë vërejtur një histori të mirë. E ashtuquajtura bllok-teknologji, e cila qëndron pas verifikimit të transaksioneve bitcoin, është një gjë e shkëlqyer. Njerëzve u ka pëlqyer dhe filluan të blejnë më shumë bitcoin. Çmimi i valutës digjitale u rrit, gjë që rezultoi në fillimin e etheve spekulative”, shpjegon Mayer.
Sipas tij, kërkesa e madhe për bitcoinin gjithashtu rrit çmimin e transaksioneve. Dhe shumë më tepër duhet të punohet në kompjuterë. Kjo ngadalëson transaksionet dhe në këtë mënyrë minon një nga avantazhet kryesore të të gjithë teknologjisë.
Përveç kësaj, çmimet e bitcoinit në këtë kohë nuk kanë të bëjnë fare me përfitimet e tyre ekonomike. Thomas Mayer, si një përfaqësues i sistemit bankar klasik i cili sheh një kërcënim në bitcoin, ka një skepticizëm të madh ndaj kësaj monedhe, transmeton “Zëri”.
Monedha virtuale që po përdoret në mënyrë të pavarur nga të gjitha llojet e bankave qendrore dhe atyre të tjera ka avantazhet e saj: kushdo mund të blejë bitcoin dhe t’i mbajë ato në një portofol virtual, nga e cila pastaj mund t’i transferohen tjerëve (për shembull, kompanive nga të cilat kryhen blerje) apo në të nga përdorues të tjerë mund të marrin bitcoin. Çdo transaksion kryhet pa ndërmjetësimin e bankave për dorëzimin e parave të gatshme.
Aktualisht shumë kompani pranojnë bitcoin si një mjet pagese, veçanërisht ato që veprojnë vetëm nëpërmjet internetit. Kjo nuk është e diskutueshme. Çdo mjet pagese është legjitim kur një numër i mjaftueshëm njerëzish pranojnë ta përdorin atë. Sa është një mjet i tillë i pagesës i qëndrueshëm – është një pyetje tjetër.
“Kuletat”, e siguruara
Ata që duan të blejnë bitcoin duhet së pari të hapin portofolin e tyre personal virtual në internet. Kjo mund të bëhet në një nga ofruesit (providerët) e shumtë të specializuar, përcjell “Zeri.info”.
Tek ofruesit e tillë hapet një llogari dhe merret një numër unik i kuletës – një kombinim shkronjash dhe numrash. Çdokush mund të hapë një numër arbitrar të këtyre kuletave.
Mbajtësi i portofolit sipas nevojës, më shpesh nëse ai blen diçka, transferon paratë në kuleta të tjera. Çdo transaksion gjurmohet vetëm nga një numër i veçantë i kuletës dhe nuk ka të dhëna të tjera si emri, adresa, kombësia …
Kjo do të thotë që të gjitha transaksionet janë anonime. Megjithatë, çdo transaksion mbetet i regjistruar në arkivin e madh, në të mbetet dëshmia me të cilën konsumatori mund të pretendojë se për shembull, nëse një shitës nuk i ka dërguar mallin e blerë.
Numri i përgjithshëm i bitcoinit është i kufizuar në 21 milionë, por nuk ka pronar “të kësaj shume parash”, nuk ka banka qendrore që “printojnë” para.
Ka vetëm providerë që shesin bitcoin në internet, kurse për punën e tyre nuk kanë nevojë për lejen e askujt; kushdo mund të bëhet një ofrues i tillë. Disa ofrues kanë fituar një reputacion të madh gjatë viteve dhe tani shihen si të fortë dhe të besueshëm.
Të gjithë janë përgjegjës për kontrollin
Meqenëse çdo transaksion mbetet në një lloj libri të faturimit elektronik dhe nuk ka bankë qendrore ose pronar të tërë procesit, lind pyetja: Kush e menaxhon atë libër? Kush kontrollon se a ka mbulesë portofoli virtual i dikujt? Me fjalë të tjera, kush i merr detyrat që banka kryen në transaksionet e zakonshme monetare?
Nuk është gjë e ekzagjeruar nëse i përgjigjemi me një fjali të thjeshtë: Kushdo që dëshiron atë! Gjithkush mund të instalojë një program pa pagesë (bookkeeping) në kompjuterin e tyre dhe të bëhet pjesë e rrjetit botëror të të ashtuquajturve “minatorë”(miner), transmeton “Zëri”.
Kur dikush te ndonjë person nga kuletat virtuale transferon të holla, çdo “miner” në bazë të të dhënave kontrollon nëse transaksioni është i ligjshëm. Vetëm kur shumica e “minatorëve” konkludojnë se me transaksionin gjithçka është në rregull, ajo ruhet në të ashtuquajturin “Blockchain” dhe nga ai moment është i detyrueshëm dhe i siguruar. Kështu që kontrolli kryhet nga shumica dhe në mënyrë të decentralizuar: nuk ka asnjë bankë ose instancë që vendos nëse transaksioni është në rregull ose jo.
Çmimi i bitcoinit varet vetëm nga oferta dhe nga kërkesa. Meqenëse tregu i bitcoinit është i vogël, pavarësisht nga fakti se pranohet nga një numër i madh i shitësve si mjet pagese, kursi është subjekt i ndryshimeve të fuqishme. /