A mund të zihej gjallë Adem Jashari?

Ish-gjenerali serb Stefan Gjuroviç, njëri ndër kuadrot më të larta të pushtetit serb në Kosovë, në një intervistë të tij, dhënë për një TV shqiptar në Maqedoni, ka folur gjerë e gjatë edhe për luftën në Kosovë, gjithnjë duke e parë atë në shikimin e tij të sotëm, që nuk ndryshon , as në pikë dhe as në presje nga shikimi i tij i djeshëm.

Gjenerali serb, i cili, edhe tani, nuk ka asnjë lloj brejtje për vrasjet masive të shkaktuara nga shteti që e kishte bërë ushtarak të lartë, në të njëjtën kohë me “dëshmitë” e tij, hedh edhe dëshmi, shumë nga të cilat krejtësisht të sajuara dhe vazhdë e lojës së ndjeshme serbe të psikologjisë së luftës dhe të ndarjes.

Mes të tjerave ai ka thënë se :

– mund ta vrisnim ku të donim dhe si të donim Adem Jasharin,

-mund ta zinim të gjallë, pasi e dinim se ku ishte dhe me cilët ishte,

-në mesin e bashkëluftëtarëve të tij kishim tre spiunë që na informonin,

– i vramë tërë familjen për t’i dërguar një mesazh faktorit ndërkombëtar.

A mund ta vriste Serbia, forcat pushtuese, strukturat e larta të sigurisë, ku të donin dhe si të donin Adem Jasharin?

Nëse do e kishin pasur këtë mundësi ata do e kishin vrarë që në rrethimin e parë që u bënë kullave të Jasharëve, në 30 dhjetor 1991, kur, tre vëllezërit, Rifati, Hamza e Ademi, i thyen me turp dhe kur, i gjithë mali përreth Prekazit u mbush me qindra vetë që kishin ardhur me armë për të luftuar krah Jasharëve.

Rrethimi i parë i Jasharëve u dha atyre dëshminë se njeriu që kishin rrethuar nuk mund të vritej, kur të donin dhe si të donin.

Pikërisht në rrethimin e parë, burrat e mbledhur rreth Jasharëve, i thanë Ademit, ” merr flamurin dhe prij luftën”, por Adem Jashari nuk ishte kaçak dhe nuk kishte ndër mend të bënte luftë kaçakësh. Në një letër të tij ai ka shkruar se ” lufta guerile, kaçakshe, nis për punë të mëdha, me përmbysë qeveri e përfundon për me vra si cubat”, dhe kërkoi nga organizata ku bënte pjesë, Lëvizja Popullore e Kosovës që të merrte përsipër, si institucioni i vetëm i lëvizjes çlirimtare, drejtimin e luftës.

Nëse do të kishin pasur mundësi strukturat e larta të shërbimit të sigurimit serb për të vrarë Adem Jasharin, ku të donin dhe si të donin, ata do e kishin vrarë kur kullat e Jasharëve u rrethuan për herë të dytë, në janarin e vitit 1998.

Atë botë, Shaban Jashari, krejt haptas pati thënë se, “edhe nëse vdes, nuk e kam merak, boll që erdhi dita me ja pa shpinën ushtarit serb kah ikën turravrap”.

Të kishte mundur ushtria dhe shërbimi i fshehtë serb të vriste Adem Jasharin, ku të donte e si të donte, si mburret sot ish-gjenerali serb, Gjuroviç, ata do e kishin vrarë në njërin nga tridhjetë aksionet ku ai ka marrë pjesë, ose, edhe atëherë kur njerëzit niseshin në aksion të drejtuar nga ai. Ose do e kishin vrarë kur organizoi daljen e parë publike të UÇK-së, 28 nëntor 1997, dhe ai vetë, ballë bjeshkës, bashkë me grupin e tij, nuk lejonte të lëvizte as këmbë ushtaraku serb.

Adem Jasharin dhe familjen e tij e vranë në tri ditë luftime, 5, 6 dhe 7 mars 1998, kur njerëzit e ish-gjeneralit kishin bërë një kordon të trefishtë rrethimi, kur nga strofkat e Beogradit kishin sjellë forcat paraushtarake të Arkanit dhe vetëm atëherë kur kullat e Jasharëve u gjuajtën me tanke.

Jo vetëm Adem Jasharin që nuk e vranë kur deshën dhe si deshën, por as djemtë e nipat e tij, as babain dhe dajën e tij Osman Gecin, nuk i vranë kur deshën e si deshën. Në tri ditë e tri netë luftime në Prekaz , ndërsa luftohej, makinat e ushtrisë serbe bartnin të vrarët e tyre pa rreshtur.

A zihej gjallë Adem Jashari, si mburret gjenerali serb?

Ndër gjithë monologun e tij serbomadh, kjo ishte ajo që nuk mund të besohej nga askush.

Tri ditënetët e luftimeve dëshmuan se nuk ishte rrethuar një burrë dhe një familje që zihej rob, kurdo dhe kur të ishte qejfi i policisë dhe i ushtrisë serbe.

Mbi 4 mijë ushtarë serbë që rrethuan Jasharët, me tanket, autoblindat, jo vetëm që nuk zunë rob Adem Jasharin, por as djemtë, vashat, nuset dhe gratë e shtëpisë.

Vetëm një vajzë e vogël asaj kohe, nën trullimin e asaj që kishte ndodhur, do të ishte ende gjallë dhe ajo do të linte menjëherë pas ngjarjes një dëshmi lapidare:

“Sa këndonte bali Adem hiç nuk kam pasë frikë”, – do të thoshte Besarta dhe do të shtonte se në tri ditë bali Adem kishte kënduar dy këngë, atë për Çerçiz Topullin dhe atë për Kamber Loshin.

Një burrë që lufton duke kënduar as ndërmend nuk e kishte të dorëzohej dhe , edhe kur i thërrisnin, qëllonte flakë në flakë.

A ishte i tradhtuar Adem Jashari?

Ish-gjenerali serb thotë për tre bashkëluftëtarë që spiunonin kudo që shkonte dhe që sigurimi serb dinte çdo lëvizje. Shokët dhe bashkëluftëtarët e Ademit njihen tashmë nga të gjithë: disa janë vrarë, disa janë ende në mesin e burrave të nderuar të Kosovës.

E vërtetë është se në Kosovë sigurimi serb ka pasur rrjetin e tij të dendur. Ka pasur oficerë madhorë shqiptarë si njerëz të sigurimit serb, ka pasur edhe bashkëpunëtorë të zakonshëm.

Disa nga këto bashkëpunëtorë si Fadil Sulejviçi, i cili arrestoi dhe zhduku mjekun e shquar dhe atdhetarin e madh, doktor Hafir Shalën, pas luftës u bënë pjesë e UNMIK-ut dhe thurën dosje të tjera. Mjerisht me këto njerëz, gjatë luftës, ka pasur edhe njerëz të UÇK-së që kanë bashkëpunuar, në emër të “politikës së madhe”. Por , rrethimi e më pas vrasja e Adem Jasharit nuk ka ardhur kurrë nga shokët e tij. Një klan i tërë ishte thirrur për të gjetur dhe për të dëshmuar se ku është, me cilët rri dhe çfarë bën Adem Jashari.

Ish-gjenerali serb thotë se duke vrarë gjithë familjen e Adem Jasharit i dërguam një mesazh faktorit ndërkombëtar.

Këtu jemi të një mendje: ata dërguan mesazhin se në këtë luftë shteti serb do të vriste burra e gra, pleq e plaka, fëmijë, kushdo do u dilte përpara. Këtë mesazh bota e kuptoi, mjerisht tepër vonë, megjithëse kjo ishte lufta e tretë që bënte shteti serb në një kohë të shkurtër.

“Dëshmia” e gjeneralit se “mund ta zinim gjallë Adem Jasharin, kur të donim e si të donim”, është një tjetër shfaqje e drojës para mitit të tij, është vazhdë e asaj që ka ndodhur dhe dëshmi të tilla, janë njëlloj të rrezikshme si ai treni nacionalist serb që sulmoi Kosovën.

Dikur vërshonin me tanke, tani trenat e tyre ndalen në kufi.

Gjarpërinjtë janë kthyer në zhapinj, por përsëri helmues.

Marrë nga Bedri Islami

Artikulli paraprakRusia kërcënim për rendin botëror
Artikulli vijuesAhmetaj: Pika e përbashkët doganore përpara takimit të dy qeverive