Azerbajxhani dhe separatistët armenë kanë rënë dakord për armëpushim, pas luftimeve në rajonin e Nagorni-Karabakut. Urdhri për të ndalur të shtënat erdhi pasi në 4 ditë dhune të përshkallëzuar, të paktën 64 persona kanë humbur jetën, duke shënuar kështu edhe episodet më të rënda në dekada me radhë mbi territorin e kontestuar, njofton TCH.
Azerbajxhani dhe Armenia akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e luftimeve në datën 1 prill. Ishte armëpushimi i vitit 1994 ai që ndaloi luftimet, edhe pse dhuna herë pas here përshkallëzohet. Rajoni Nagorni-Karabak ndodhet brenda territorit të Azerbajxhanit, por është nën kontrollin e armenëve.
Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia do të dërgojnë autokolona në Azerbajxhan, Armeni dhe në Nagorni-Karabak, në një përpjekje për të zgjidhur konfliktin që ka shpërthyer në rajonin kufitar. Në një takim të përbashkët të ministrave të Jashtëm u bë e ditur nisma e ndërmarrë nga presidenti francez, për të gjetur një zgjidhje politike mes kreut të shtetit të Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Edhe Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë është gjithashtu e gatshme të dërgojë një grup misioni në rajonin e trazuar. Sipas qeverisë në Baku, ndër viktimat janë edhe 16 ushtarakë azerbajxhanas të vrarë në luftimet e dy ditëve të fundit.