Arrestohet i dyshuari qe tentoi t'i godiste me veturë dy policët

Një i dyshuar, 22 vjeçar, është vënë nën kontroll dhe arrest policor për rrezikim të zyrtarëve policor në kryerje të detyrës zyrtare, pasi i njëjti në tentativë të arratisjes kishte tentuar të godas me veturën e tij, dy policët e trafikut.

Rasti është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 15:00min, në rrugën magjistrale Mitrovicë–Prishtinë, përkatësisht në fshatin Kqiq i madh, të Mitrovicës.

“Policët e njësisë së trafikut rajonal, pasi kanë pranuar informatën paraprake për identifikim të veturës së dyshuar, tip ‘Golf 3’ ngjyrë e zezë, e cila ditë më parë iu kishte shmangur ndaljes në pikën e kontrollit policor, të njëjtit kanë tentuar të ndalojnë atë në pikën e kontrollit të vendosur në fshatin Kqiq i madh. Ngasësi i veturës, pasi ka vërejtur pozicionimin e policëve për ndalje në trafik, i njëjti ka ngritur shpejtësinë e veturës duke u vërsulur edhe më, në drejtim të dy policëve të cilët për të evituar rrezikun e drejtpërdrejtë për jetën e tyre, janë obliguar që të kërcejnë anash rrugës ndërsa kanë vënë në përdorim edhe armën e tyre zyrtare”, thuhet në kumtesë.

Një nga plumbat e shkrepur nga zyrtarët policor, ka kapur pjesën e parme të krahut të djathtë të veturës së dyshuar, mirëpo ngasësi nuk është lënduar. I njëjti ka vazhduar me shpejtësi arratisjen e tij duke obliguar zyrtarët policor që të alarmojnë njësitë tjera policore dhe t’i vihen në ndjekje të njëjtit.

I dyshuari është lokalizuar disa qindra metra larg vendit të ngjarjes, duke braktisur veturën dhe duke tentuar që të arratiset në këmbë. I njëjti, është vënë nën kontroll të zyrtarëve policor edhe përkundër rezistencës fizike të dyshuarit për arrestim.

Dy zyrtarët policor kanë pësuar lëndime në dorë të djathtë gjatë shmangies së tyre të goditjes me veturë. Të njëjtit janë trajtuar në repartin ortopedik në spitalin e Mitrovicës.

I dyshuari i arrestuar, i njohur për autoritetet policore për përfshirjen e tij në kontrabandë me mallra, nuk ka mohuar qëllimin e tij për mos ndalje si dhe shmangien e ngjashme nga patrullat policore edhe disa herë më parë.

Vetura e dyshuar, e cila para dhe prapa, kishte dy targa të ndryshme të regjistrimit, është sekuestruar pasi ishte vërtetuar si veturë e pazhdoganuar.

Ndaj të dyshuarit, 22 vjeçar, me urdhër të prokurorit publik, është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, ndërsa hetuesit rajonal për krime serioze janë duke ndjekur hetimet e rastit të regjistruar si vepër penale “vrasje në tentativë”. /Telegrafi/

Artikulli paraprakParlamenti Europian e “vrau” ACTA-n!
Artikulli vijuesSi të mbroheni nga vapa e madhe