Qeveria siriane synon të çlirojë Alepon nga xhihadistët me ndihmën e avionëve rusë. Bashar al-Asadi lufton tani ata ekstremistë, të cilët vetëm para disa vitesh i liroi nga burgjet. Cinizëm pa kufi, mendon Kersten Knipp.
Sërish fluturojnë avionët luftarakë të aviacionit rus. Raketat i drejtohen qytetit Alepo, metropolit në veri të vendit, pjesët lindore të të cilit ende kontrollohen nga luftëtarët e organizatës terroriste, të ashtuquajturit “Shteti Islamik” dhe grupe të tjera xhihadiste. Realisht që nga fundi i shkurtit është në fuqi një marrëveshje armëpushimi mes qeverisë dhe opozitës. Grupet xhihadiste janë të përjashtuar nga ky armëpushim.
Pritet që xhihadistët të tërhiqen dhe të pësojnë edhe një humbje tjetër. Kjo të gëzon, por më pak ose aspak i gëzueshëm është fakti që regjimi i Asadit me marrjen me shumë gjasa të Alepos, e konsolidon pushtetin e tij. Mundet që Asadi ta dorëzojë vetë dikur pushtetin, të bëjë një dorëzim për të ruajtur fytyrën.
Bisedimet e paqes që fillojnë këtë javë (15.04, Gjenevë, shën red.) do ta trajtojnë së paku jo zyrtarisht edhe këtë temë.
Rrënim i kulturës politike
Çështja është se çfarë fitohet? Në të vërtetë bashkë me Bashar al-Asadin duhej të ndërroheshin jo vetëm të gjithë qeveritarët sirianë, por e gjithë kultura politika e vendit -pas 40 vitesh sundim të Asadit, sigurisht një iluzion.
Babai dhe djali, Asad janë përgjegjës për rrënimin e pashembullt të kulturës politike, ashpërsinë dhe brutalizimin e pashembullt të veprimit politik në vend. Kjo duket sidomos në shembullin e xhihadistëve, atyre, kundër të cilëve, regjimi thotë se po lufton. Xhihadistët janë, më së voni që nga fillimi i mijëvjeçarit të ri, një mjet i përshtatshëm në duart e Asadit për të realizuar interesat e tij.
Kur filloi në vitin 2003 invazioni ushtarak në Irak, regjimi futi në vendin fqinj qindra luftëtarë xhihadistë.
Regjistrimet e njohura me emrin Sinjar Records, të cilat u gjetën nga trupat amerikane në qytetin me të njëjtin emër në Veri të Irakut, dokumentojnë itineraret e lëvizjes së mbi 600 xhihadistëve nga gushti 2006 deri në gusht 2007 – të gjithë xhihadistët kanë kaluar përmes Sirisë, madje aty kanë ndjekur edhe kurse trajnimi.
Llogaria e regjimit të Asadit: Amerikanët duhet të luftohen me ashpërsi, aq sa të mos u shkojë në mendje, që pas Irakut të intervenojnë edhe në Siri.
Nxjerrja e djallit nga shishja
Edhe pas shpërthimit të protestave kundër tij në pranverën e vitit 2011, regjimi sirian lejoi nxjerrjen e djallit nga shishja. Në fund të majit regjimi i Asadit ofroi amnisti. Xhihadistët më të përgjakshëm e fituan lirinë falë kësaj aministie. Llogaria e regjimit kësaj here: Ta paraqiste kryengritjen e filluar nga forcat demokratike, e të mbështetur nga të gjitha shtresat, si një kryengritje xhihadiste.
E madje kjo llogari e Asadit doli: Ekstremistët sunitë të veprave të rënda kriminale sulmuan aq shumë të krishterët në vend dhe shiitët, saqë këta nuk duan t’ia dëgjojnë më sot për një bashkëpunim me sunitët.
Interesi i vetëm: Ruajtja e pushtetit
Në të njëjtën kohë, regjimi ka sulmuar sunitët në vend me një brutalitet të tillë, saqë xhihadistët në të gjithë botën u bënë të vëmendshëm ndaj vuajtjes së vëllezërve të një besimi, erdhën në Siri- dhe e kthyen vërtet kryengritjen laike përfundimisht në një luftë xhihadiste. Regjimi pas kësaj mund ta prezantonte veten para sirianëve e botës si një fuqi mbrojtëse kundër krahut sunit.
Kjo llogari cinike u ka kushtuar ndërkohë jetën qindra mijëra sirianëve. Me një poshtërsi të pashoq, regjimi sakrifikon jetën e qytetarëve të vendit të tij për një interes të vetëm: ruajtjen e pushtetit. Se sa qytetarë duhet të linin jetën për këtë, nuk luan ndonjë rol në qendrën e pushtetit në Damask. Në Alepo djalli fiton mbi demonin.