Peticioni për të ndaluar hyrjen e Trump në Britani është vendosur në faqen zyrtare të parlamentit britanik, dhe për 24 orë është nënshkruar nga më shumë se 100 mijë qytetarë
Qytetarët e Britanisë së Madhe kanë nisur një fushatë të nëshkrimit të peticionit, që biznesmenit dhe kandidatit të mundshëm republikan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA Donald Trump, t’ia ndalojnë hyrjen në Britaninë e Madhe, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fushatës zgjedhore, Trump disa herë ka tronditur publikun me deklaratat e tij radikale dhe raciste, kurse reagimi i fundit i ashpër nga qytetarët e Britanisë së Madhe vjen pas thirrjes së djeshme të Trump që t’iu ndalohet hyrja të gjithë muslimanëve në SHBA, dhe me këtë rast ai foli me përçmim për Londrën duke thënë se ajo është një lagje radikale në të cilën edhe policia ka frikë të hyjë.
Peticioni për të ndaluar hyrjen e Donald Trump në Britani është vendosur në faqen zyrtare të parlamentit britanik, dhe për 24 orë është nënshkruar më shumë se 100 mijë qytetarë, që është e mjaftueshme që këtë çështje ta vendosin në rend dite të seancës së Parlamentit. Megjithatë, nëse peticioni grumbullon 10 mijë nënshkrime, sipas rregullave të tanishme, qeveria në Londër është e detyruar të reagojë drejtpërdrejtë.
Disa deputetë të Partisë Laburiste dhe Partisë Kombëtare të Skocisë, kërkojnë që t’iu ndalohet hyrja në Britani të Madhe të gjithë atyre që përhapin retorikën “trumpiste” të urrejtjes.
Trump në Skoci posedon terrene të golfit dhe gjatë këtij viti kishte vizituar tre herë Britaninë e Madhe.
“Idiot i rrezikshëm”, “Budalla i dëshmuar”, “Budalla” janë disa nga epitetet që disa politikanë britanikë i kanë përdorur me emrin e Trump gjatë thirrjes së qytetarëve për të mbështetur peticionin.
Shkrimtarja e njohur britanike dhe autorja e romanit “Harry Potter”, JK Rowling në rrjetin social Twitter ka shkruar se Trump është “më i keq” se sa Voldemort, personi negativ nga romani në fjalë.
Trump përshkak të deklaratës së tij, ka mundësi që së shpejti të mbetet pa titullin e tij të mjekut të nderit që kishte marrë më parë nga Universiteti Robert Gordon në Aberdeen.