Britania lëshon satelitin ushtarak

Një satelit i fuqishëm telekomunikimi në shërbim të ushtrisë britanike është lëshuar në orbitë. Platforma “Skynet-5D”, e cila peshon 5 tonelata, u nis përmes një rakete të tipit “Ariane” të lëshuar nga baza hapësinore Kourou në Guinean Franceze.

Sateliti, që është i lidhur me tre satelitë të tjerë që funksionojnë prej kohësh, i mundëson ushtrisë britanike që të qëndrojë e lidhur në pjesën dërrmuese të globit.

Sistemi “Skynet”, që ka pajisje radioje si ato të vendosura në anije, automjete dhe radio dore, është projekti më i madh hapësinor i Mbretërisë së Bashkuar.

Ai vlerësohet mbi 3.6 miliardë paund dhe menaxhohet nga kompania komerciale “Astrium”, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes.

Trupat britanike paguajnë një taksë vjetore në këmbim të të cilës do t’u mundësohet përdorimi i sistemit, i cili do t’u lejohet për përdorim edhe vendeve aleate të NATO-s, si SHBA.

Raketa “Ariane” u nis në hapësirë në orën 18:49 me orën lokale dhe lëshoi platformën “Skynet 5D” 27 minuta më vonë mbi bregun lindor të Afrikës.

5D-ja do të përdorë tani sistemin e saj shtytës për të lëvizur në pozicionin gjeografik të përcaktuar në një lartësi prej 36 mijë kilometrash. Pozicioni i tij operativ në fillim të vitit të ardhshëm do të jetë në 53 gradë në Lindje.

Tre satelitët e parë të platformës “Skynet” u lëshuan në periudhën mes viteve 2007-2008. Të gjithë ata përputhen me teknologjitë e përdorura në jetën e përditshme të qytetarëve civilë, si ato për telefona celularë, internetin, etj, por janë përforcuar për shërbim ushtarak.

Artikulli paraprakHajni gjatë vjedhjejes, kërcen nga ballkoni dhe lëndohet
Artikulli vijuesKriza financiare prek edhe Kosovën