Çavushoglu: Lufta kundër terrorizmit do të vazhdojë me vendosmëri

Mevlut Çavuşoğlu u takua sot me homologun e tij iranian, Javad Zarif, ku pas takimit deklaroi se presin përkrahjen e botës, në veçanti Evropës në luftën kundër terrorizmit

 

STAMBOLL (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi sot se lufta kundër terrorizmit do të vazhdojë me vendosmëri si brenda ashtu edhe jashtë, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu u takua sot me homologun e tij iranian, Javad Zarif, ku pas takimit deklaroi se presin përkrahjen e botës, në veçanti Evropës në luftën kundër terrorizmit. Zarif është takuar gjithashtu edhe me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrin, Ahmet Davutoğlu.

“Terrorizmi edhe një herë dëshmoi fytyrën e tij të shëmtuar. Cak i sulmit ishin civilët” tha kreu i diplomacisë turke.

Lidhur me marrëdhëniet e Turqisë dhe Iranit, ai tha se të dyja palët dëshirojnë të sjellin nivelin e këmbimit tregtar në 30 miliardë dollarë.

Ministri Çavuşoğlu foli edhe për ndërprerjen e luftimeve në Siri për çka tha se Turqia dhe Irani veprojnë bashkërisht dhe se integriteti territorial sirian është i rëndësishëm për të dyja vendet.

Ministri i Jashtëm turk tha se dega e PKK-së në Siri, PYD nuk lufton për çlirimin e Sirisë.

“Për stabilizimin e rajonit është i rëndësishëm bashkëpunimi mes shteteve muslimane” tha kreydiplomati turk për të shtuar se ndjekin me vëmendje situatën në Jemen, Irak dhe Libi.

Sa i përket regjimit të vizave, ai tha se Turqia ka përmbushur mbi gjysmën nga 72 kritere sa nevojiten.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif shprehu ngushëllimin e tij për vdekjet e sotme nga sulmi terrorist, për të shtuar se Irani i kushton një vëmendje të veçantë marrëdhënieve me Turqinë.

“Shpresoj që niveli i tregtisë mes dy vendeve do të arrij 30 miliardë dollarë. Situata për avancim të bashkëpunimit është e favorshme” ka thënë ai, për të shtuar se Irani sheh Turqinë si një partnere në të gjitha fushat.

Zarif tha se me Turqinë ndajnë mendime të kundërta për disa çështje, por se kanë mendim të njëjtë për temat e rëndësishme. “Mendojmë se duhet siguruar uniteti i territoreve të të gjitha shteteve, sidomos Sirisë dhe Irakut. Përleshjet e brendshme duhet të ndalojnë” tha Zarif.

 

Artikulli paraprakStoltenberg dënon sulmin terrorist në Stamboll
Artikulli vijuesNuman Kurtulmush: Lufta kundër terrorizmit është përgjegjësi kombëtare