Ministri i Integrimit Evropian po merr pjesë në konferencën dedikuar 200-vjetorit të Kongresit të Vjenës që sivjet i është dedikuar marrëdhënieve në mes të BE-së dhe Evropës Juglindore.
Çollaku ka bërë një prezantim mbi pozitën e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe rolin që e luan shteti ynë në normalizimin e gjithëmbarshëm të situatës politike dhe ekonomike.
Në këtë panel u debatuan sfidat dhe mundësitë e rajonit për zhvillim si dhe perspektivën e procesit të anëtarësimit në BE nëpërmjet transformimit dhe një udhërrëfyesi me rol edhe për shoqërinë civile. Në këtë panel, Ministri Çollaku ishte së bashku me ish Sekretarin e MPJ të Austrisë dhe kryenegociatorin për Kosovë, Albert Rohan (ish Sekretari Permanent i MPJ-së së Austrisë dhe zëvendës i Marti Ahtisaari, i dërguari special për Procesin e statusit të ardhshëm të Kosovës), Paul Lendval publicist, Jan Zielonka, profesor nga Universiteti i Oksfordit dhe Oskar Mencer, drejtor i një kompanie softueri dhe profesor në Imperial College në Londër, raporton Koha.net.
Në paraqitjen e vet para publikut, i përbërë nga opinion-bërës evropianë, redaktorë, politikanë dhe diplomatë, Ministri Çollaku u fokusua të hedh dritë mbi rolin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë dhe efektin pozitiv që ka pasur në rajon, nevojën e përshpejtimit të integrimit Euro-Atlantik të Kosovës si mënyrën më të mirë të luftimit të esktremizmave politikë dhe fetarë si dhe për sfidat afatgjata të rajonit të Evropës Juglindore që ndërlidhën me sfidat që e tërë BE-ja ka ballafaquar me krizën financiare globale.
Më vonë, Çollaku po ashtu do të merr pjesë në panelin e titulluar “Rajoni i rritjes – Evropa Juglindore”.