“Xhihadistët janë duke e përmbytur Britaninë me kanabis nga fermat shqiptare të drogës… Shteti Islamik po shton të ardhurat në para të thata për fushatën e tij të terrorit duke drejtuar fermat e kanabisit dhe duke e dërguar drogën me anije në Britani… kalifati i djallit ka siguruar kontrollin e 4 bilionë sterlinave të marijuanës që rritet në malet e Shqipërisë…”
Këto zbulime sensacionale, nën titullin “ISIS-i rrëmben 4 bilionë sterlina nga droga e mafies për të financuar fushatën e vet brutale të terrorit” i ka bërë gazeta britanike “Daily Mirror”. Pikërisht ky lajm, për gati tri ditë me radhë, ua bëri shqiptarëve kokën daulle. Folës të lajmeve në televizione, të vjetër në moshë dhe të nderuar, qoftë më të rinj dhe më pak të njohur, lexonin me patos, përkushtim dhe zë kumbues lajmin që kolegët u kishin vënë përpara dhe më tej gazetat dhe portalet online nuk mbetën asnjë hap pas.
Louis Medical Centre
Si pothuaj gjithmonë në raste të ngjashme, shumica absolute e gazetarëve dhe mediave i shkoi pas zallamahisë, veç ndonjë rasti të rrallë, që ndali hovin për të rregulluar diçka në fund të lajmit. Pothuaj askush nuk u mendua dy herë para se të ripublikojë të dhënat që japin dy gazetarët britanikë.
Pothuaj askush nuk mendoi se si do të përtypej, si do të kuptohej nga shqiptarët dhe çfarë vlerë mbartte në të vërtetë ai shkrim. Pothuaj askush nuk e përqendroi vëmendjen në vërtetësinë e të dhënave të servirura. Pothuaj askush nuk e vrau mendjen të bënte një kërkim për të gjetur se ku bazohej shkrimi, kush e mbante në këmbë, kush ishin apo kush fshihej pas personave që bashkonin Shqipërinë dhe shqiptarët dhe ISIS-in në një biznes 4 bilionë sterlinash të drogës.
Pothuaj askush nuk i kuptoi dhe ende nuk po e kupton se ky shkrim mbart informacionin mbase më të ndyrë dhe më të dëmshëm për shqiptarët dhe Shqipërinë publikuar në mediat serioze botërore në 25 vite postkomunizëm. Pothuaj askush nuk e vrau mendjen për atë që quhet “dëmtim imazhi”. Pothuaj askush nuk u shfaq në lartësinë e PËRGJEGJËSISË që çdo gazetar duhet të ketë para çdo lloj përbaltjeje apo provokimi që mund t’i bëhet vendit apo kombit të tij.
Falë përparimit të teknologjisë, të zbulosh në kohë një shkrim të mediave të huaja që ka interes për shqiptarët dhe ta përkthesh, duke marrë dhe përcjellë vetëm thelbin, kohët e fundit është kthyer në një tendencë gati të shfrenuar. Janë një bollëk lajmesh, sidomos të kronikës së zezë, pothuaj të gatshëm, që përditë e më tepër po përmbytin dhe po zhvendosin lajmet aktive nga emisionet e lajmeve, sidomos në portalet online.
Një lajm i tillë, i gatshëm, pra që u gjet në internet, u përkthye dhe u transmetua, ishte edhe ai që gazeta britanike “Daily Mirror” publikoi pasditen e datës 16 janar 2016.
Pa e lidhur me imazhin që shqiptarët i kanë shfaqur botës kohët e fundit, krijuar pas hedhjes së përsëritur të gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës apo betejës me imitimine një bunkeri në qendër të Tiranës, dhe më tej, pa e lidhur edhe me faktin se shkrimi duket sikur është vetëm seria e radhës e një fushate djallëzore që po vazhdon dhe që ka qëllim të lidhë Shqipërinë dhe shqiptarët me ISIS-in, pra duke e analizuar si një lajm të shkëputur, pyetjet më të thjeshta që dalin janë: A është normale që një gazetar të ripublikojë një lajm pa e peshuar aspak përmbajtjen e tij?
A duhet të mbajë qëndrim një gazetar në momentin kur konstaton se lajmi është i dyshimtë apo krejt i pavërtetë? Sigurisht që PO. PO, sepse është krejt minimaliste të pretendosh dallimin e humanit nga makineritë.
PO, sepse duke i kthyer paksa kurrizin dembellëkut, bëhet tepër e thjeshtë që gazetarët të vendosin nëse një shkrim i mediave të huaja duhet të ripublikohet, të ripublikohet me shënime sqaruese apo vetëm duhet të përgënjeshtrohet nga fillimi gjer në fund. Le të kthehemi te shkrimi i “Daily Mirror”.
Ky shkrim mbahet në këmbë nga dy ekspertë të sigurisë, që falë një kërkimi të thjeshtë në internet rezultojnë të jenë sllavo-maqedonas. Qysh në krye të shkrimit, i pari specialist i cituar është dr. Vladimir Pivovarov, ish – shefi i Shërbimit Ushtarak Maqedonas për Sigurinë dhe Inteligjencën në vitet 2002 – 2004. Ai citohet të ketë thënë se “Tashmë është e njohur se Shqipëria dhe vende të tjera në rajon kanë nënshtetas që janë bashkuar me ISIS”.
Sigurisht që veçimi i emrit të Shqipërisë ka lidhje me pyetjen specifike që i është bërë nga gazetarët. Por edhe batuta e dytë që thotë: “Nuk ka dyshim që rekrutët më të mirë për xhihadistët janë ata që kanë qenë me mafien”, – duket një përgjigje e kondicionuar nga kërkesa e pyetjes.
Më tej ky vazhdon të sqarojë gazetarët se si ish-mafiozët, të shkolluar për ushtrim dhune, e paguajnë vetë udhëtimin e tyre, duke u kursyer xhihadistëve paratë e rrugës… e të tjera të ngjashme. Në tërësi thëniet e Pivovarov përbëjnë një rrëmujë pa shumë kuptim, por që sipas shkruesve të artikullit shërbejnë për të mbathur me një citim idenë thelbësore të shkrimit të tyre, që thotë se mafiozët shqiptarë, të cilët arkëtonin 4 bilionë sterlina me kultivimin e trafikun e marijuanës, tashmë janë duke u konvertuar në xhihadistë.
Deri këtu lajmi nuk ka asnjë interes për publikun apo lexuesin britanik të “Daily Mirror”. Por gazetarëve u duhet të gjejnë medoemos një lidhje. Dhe në këtë pikë, në ndihmë vjen një tjetër ekspert sllavo-maqedon i quajtur dr. Marjan Nikolovski. Ky lëshon bombën: “Mbretëria e Bashkuar është tregu kryesor për kanabisin shqiptar. ISIS-i është përfshirë në prodhim dhe trafikim. Kështu që gjithkush që ble drogë në Britani, po financon terrorizmin”. Por kush është ky ekspert?
I shfaqur me titullin “Doktor” dhe në rastin e “Daily Mirror” edhe si “Profesor Doktor”, e saktë është se Marjan Nikolovski deri në vitin 2012 ka qenë asistentprofesor në Fakultetin e Sigurisë në Shkup, por… me një eksperiencë të gjatë në Drejtorinë e Sigurisë dhe Kundërinteligjencës së Maqedonisë (Shërbimi Sekret Maqedonas, aut.).
Edhe pse tashmë i janë përkushtuar arsimimit dhe akademizmit, është e thjeshtë të përllogaritet se koha e kaluar në radhët e shërbimeve sekrete barazohet me vitet e vështira të konflikteve të ashpra me shqiptarët në brendësi të shtetit maqedonas. Pra, nuk është çudi që të dy të ruajnë një urrejtje patologjike për gjithçka shqiptare.
Të paktën për dr. Vladimir Pivovarovin të dhënat që mund të gjenden janë më të shumta. Deklarata e parafundit e ish-shefit të Shërbimit Sekret Ushtarak të Maqedonisë, e gjetshme në një numër mediash online dhe që shtrihet në kohë deri në fund të 2015 është: “Great Albania’ is permanently fulfilling while the international community remains silent” (‘Shqipëria e Madhe’ është duke u realizuar në mënyrë të vazhdueshme në një kohë që komuniteti ndërkombëtar nuk reagon).
Si për të vërtetuar sërish se ky ekspert është pak rrëmujë në deklarimet e veta, mund të veçohet një deklaratë e lëshuar në mesin e vitit 2015, menjëherë pas konfliktit të armatosur në Kumanovë, kur Pivovarov ka lëshuar: “Komuniteti ndërkombëtar e ka thënë për vite me radhë se nuk ka mundësi të lëvizjes së kufijve për të krijuar një Shqipëri të Madhe. Përse kjo nuk është e qartë?” Dhe në fund, që gjithçka të jetë tepër transparente, gazetari mund të kërkojë të dhëna për sasinë zyrtare të kanabisit shqiptar që futet në Mbretërinë e Bashkuar.
Mjafton të futesh në faqen e NCA (National Crime Agency – Agjensia Kombëtare e Krimit) me adresën http://www. nationalcrimeagency. gov.uk/ për të gjetur të dhënat e sakta, që në këtë rast thonë: “Kanabisi vazhdon të jetë droga ilegale gjerësisht më e përdorur në Mbretërinë e Bashkuar dhe vlera në treg është pothuaj 1 bilion sterlina në vit. SOCA (Serious Organised Crime Agency) ka llogaritur se duhen rreth 270 tonë kanabis për të përmbushur kërkesat vjetore të M. Bashkuar. Shumica është kanabis me prejardhje bimore.
Pavarësisht shtimit të kultivimit shtëpiak, shumica e kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar vazhdon të importohet me të gjitha llojet e mjeteve të transportit. Afganistani dhe Maroku janë vendet e origjinës për vajin e kanabisit. Kanabisi bimor futet në Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu nga vende të Afrikës së Jugut, nga Karaibet dhe Holanda.”
Pra në këtë përmbledhje të agjencisë më kryesore të Mbretërisë së Bashkuar kundër krimit të organizuar dhe respektivisht edhe trafikut të drogës, nuk është parë e arsyeshme të shkruhet për sasi kanabisi të ardhura nga Shqipëria apo qoftë nga rajoni, nga Ballkani, i cili përmendet vetëm në një rast, kur flitet për linjat e trafikut të heroinës që nis udhëtimin nga Afganistani.
Kështu, fakti se pjesa më e madhe e informacionit të sjellë nga gazetarët e “Daily Mirror” ishte dy vjet e vjetër, fakti se dy ekspertët e sigurisë, që mbanin shkrimin në këmbë me citimet e tyre, listohen të jenë njerëz të dyshimtë dhe në rastin më të mirë tendenciozë në përbaltjen e shqiptarëve, si dhe fakti se agjencitë më serioze antikrim në Mbretërinë e Bashkuar nuk e njohin fenomenin e trafikut masiv të kanabisit nga Shqipëria, do të kishin mjaftuar që gazetari më i thjeshtë shqiptar së paku të ndalej.
I menduar dy herë, ky shkrim duhet të kishte gjetur shtegun e publikimit në mediat shqiptare vetëm në formën e një përgënjeshtrimi. Të para në një tjetër plan, shpifjet e gazetës “Daily Mirror” në adresë të Shqipërisë dhe shqiptarëve do të ishte e udhës të merrnin një përgjigje.
Shteti shqiptar, nëse ende e konsideron veten shtet, duhet ta padisë këtë gazetë dhe t’i tundë mirë dhëmbët për prishje të imazhit. Sepse aktualisht nuk ka në botë akuzë më të rëndë se implikimi me ISIS-in. Është njëlloj si akuza e dikurshme për krime në bashkëpunim me Hitlerin gjatë Luftës së Dytë. Kështu që një avokat me përvojë ndërkombëtare duhet ta ketë fare të thjeshtë, pasi shpifjet janë krejt të trasha.
Për më tepër që avokati, i bindur në fitore, mund të nisë punën pa ndonjë shpërblim paraprak, duke pranuar pagesën finale me përqindjet e disa miliona eurove që Qeveria shqiptare do të fitojë.
FERDINAND DERVISHI