Dardan Gashi injorant, Kosova ka ligj për mbeturina dhe importimi i tyre bëhet me lejen e MMPH-së

Në debat me kryeministrin e Shqipërisë, ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ka thënë se Kosova nuk ka ligj për import të mbeturinave në Kosovë.
Madje, në këtë gjë ai ishte shumë kryeneç, sepse insistoi sërish edhe mbrëmë kur ishte në studion e Klan Kosovës për të komentuar rreth atij debati.

Por, fatkeqësisht, ironizimi i Edi Ramës me ish-ministrin Gashi, se ka ligj, por se ai ka ka qenë i padenjë për ministër, prandaj edhe e paskan hequr, del të jetë i vërtetë.

Në vitin 2008 ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës Ligji nr. 02/L-30 për Mbeturina, kurse në vitin 2012 ky ligj ishte amandamentuar, derisa tash online mund të gjendet si Ligji nr. 04/L-060 për Mbeturina dhe me të rregullohet edhe mënyra e importit, eksportit dhe transitit të mbeturinave, si dhe detyrimet e personave të licencuar.
Ndërkaq, në kreun IX dhe nenin 56 të tij, parashihet edhe sesi duhet të bëhet qarkullimi ndërkufitar i mbeturinave.

Sjellim të plotë përshkrimin e nenit 56 të Ligjit nr. 04/L-060 për Mbeturina, i cili rregullon edhe importin e mbeturinave, për të cilin debatuan kryeministri Rama dhe ish-ministri Gashi.

KREU IX
QARKULLIMI NDËRKUFITAR I MBETURINAVE

Neni 56
Qarkullimi ndërkufitar i mbeturinave

1. Qarkullimi ndërkufitar i mbeturinave bëhet në përputhje me legjislacionit të BE –së, Konventës së Bazelit, sipas rregullave të transportit rrugor (ADR), transportit hekurudhor (RID) dhe transportit ajror, dispozitave të këtij ligji dhe akteve te nxjerra prej tij.

2. Lejen për eksportimin e mbeturinave sipas kushteve të përcaktuara me ligj e lëshon Ministria.

3. Importimi i mbeturinave jo të rrezikshme në Republikën e Kosovës lejohet vetëm nëse ekzistojnë objektet dhe pajisjet e lejuara për trajtimin e mbeturinave dhe nëse është siguruar leja nga Ministria për importimin e mbeturinave.

4. Ndalohet importimi i mbeturinave të rrezikshme në Republikën e Kosovës.

5. Lejen për kalimin tranzit të mbeturinave të rrezikshme dhe jo të rrezikshme e lëshon Ministria.

6. Ngarkesat me mbeturina që kalojnë tranzit nëpër territorin e Republikës së Kosovës, nuk mund të qëndrojnë më gjatë se njëzet e katër (24) orë. Nëse gjatë dhënies së lejes, vlerësohet rreziku nga kalimi tranzit i ngarkesave me mbeturina, Ministria do të kërkoj përcjellje zyrtare nga Policia e Republikës së Kosovës.

7. Parashtruesi i kërkesës për leje, për qarkullimin ndërkufitar të mbeturinave, duhet të siguroj garancionin financiar apo ndonjë formë tjetër të sigurimit. GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr.17 / 29 QERSHOR 2012, PRISHTINË LIGJI PËR MBETURINA – SHTOJCA 28

8. Nëse qarkullimi ndërkufitar është i kundërligjshëm, importuesi me shpenzime të veta detyrohet të siguroj kthimin e mbeturinave te eksportuesi, në afat prej shtatë (7) ditësh, nga dita e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.

9. Lejen për qarkullimin ndërkufitar të mbeturinave, Ministria është e detyruar ta lëshoj në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e paraqitjes së kërkesës.

10. Ministri me akt nënligjor, përcakton procedurën për lëshimin e lejes për import, eksport dhe kalim tranzit të mbeturinave.

Artikulli paraprakKonfiskohen 50 kilogramë marihuanë dhe arrestohen dy persona të dyshuar
Artikulli vijuesZyrtare: Mourinho akuzohet për sjellje të pahijshme nga FA, këto dënime e presin