Dështimi i rritjes ekonomike si model

PARIS — Rritja ekonomike është fe në botën moderne, eliksiri që lehtëson dhimbjen e konflikteve, premtimi i progresit të pafundmë. Është zgjidhja e shqetësimeve tona të përhershme për mos zotërimin e asaj që nuk e kemi. E megjithatë, të paktën në Perëndim, modeli i rritjes po zhduket si Albertine Simonet e Prustit: shkon e vjen, lulëzimi pasohet nga rënia, e rënia pasohet nga lulëzimi, kurse një botë ideale me rritje ekonomike të qëndrueshme, përfshirëse, jetëgjatë, po shuhet ngadalë.

Në SHBA, 80 përqind e popullsisë nuk ka parë rritje të fuqisë blerëse të saj në 30 vitet e fundit. Në Francë, rritja për frymë ka rënë vazhdimisht që nga 3 për qind në 1970 deri më pak se zero më 2013. Në të njëjtën kohë, klasa politike është befasuar nga stanjacioni, një hezitim që u ka hapur dyert partive populiste të llojeve të ndryshme. Por, në kërkim të kokave të turkut, perëndimi i shmanget pyetjes kyçe: Çfarë do të ndodhë nëse gjakimi ynë për rritje ekonomike të pafundme kthet në mirazh? A do të gjejmë një zëvendësues të përshtatshëm për këtë sistem, apo do të zhytemi në dëshpërim dhe dhunë?

John Maynard Keynes, duke shkruar në fillim të krizës së viteve 1930, paralajmëroi kujdes ndaj keqdiagnostikimit të situatës. Në artikullin e tij të famshëm “Economic Possibilities for Our Grandchildren, [Mundësi ekonomike për nipërit tanë]” ai deklaroi se një mundësi prosperiteti ishte afër dhe se “problemet ekonomike” të botës do të zgjidheshin shpejt – njëlloj si në shekullin parardhës mbërriti rritja e fuqishme ekonomike dhe siguria e ushqimit për shkak të një vale shpikjesh. Të shtrydhim prej modelit të rritjes ekonomike atë çfarë mundemi, tha ai, bota duhet të lërë mënjanë babëzinë dhe frikën. Në vend të tyre, duhet të mësojmë të shijojmë jetën – e mbi të gjitha të konsumojmë, pa kufizime dhe pa frikën e të nesërmes. Përfundimisht, Keynes besonte se ne do arrinim të punonim vetëm tre orë në ditë dhe do merreshim me gjëra vërtetë të rëndësishme si art, kulturë dhe fe.

Fatëkeqësisht, këto gjëra nuk janë ende prioritet i botës deri në këtë pikë të historisë; përkundrazi, jetojmë në frikën e varfërisë, pabarazisë dhe papunësisë. Përpjekja jonë e vazhdueshme për pasuri materiale mbetet synimi ynë prioritar, pavarësisht se ne në perëndim jemi gjashtë herë më të pasur në vitet 1930. Kështu që duhet thënë se Keynes, një intelektual i madh i shkencave ekonomike, gaboi: sasia e madhe e pasurisë materiale nuk e ka kënaqur, ose moderuar, oreksin e shoqërisë sonë materialiste.

I ashtuquajturi gabim i Esterlinit ndihmon për të shpjeguar gabimin e Keynes-it. Sipas ekonomistit Richard Easterlin, pasuria dhe lumturia nuk shkojnë bashkë. Një pagë e lartë është gjithmonë e dëshirueshme, por kur e arrin atë ai objektiv nuk është i mjaftueshëm: ne biem vitkimë e procesit të përshtatshmërisë (zakonit), për të cilin përgjithësisht jemi të pavetëdijshëm. Ndërsa i vendosim vetes qëllime të nxitura nga dëshirat tona të tanishme, ne nuk llogaritim që dëshirat tona ndryshojnë me kalimin e kohës dhe rrethanat e reja. Kjo shpjegon pse rritja ekonomike, më shumë se pasuria e pastër, është çelësi i funksionimit të shoqërisë sonë: ajo na ofron të gjithëve shpresë të ngrihemi mbi kushtet e tanishme, edhe pse ëndërra mbetet përherë e papërmbushur.

Kjo na sjell te pyetja themelore: A do të kthehet rritja ekonomike, dhe nëse jo, po atëherë? Ekspertët janë thellësisht të ndarë. Pesimistët, të udhëhequr nga ekonomisti Robert Gordon, besojnë se mundësia për rritje ekonomike është shumë më e ulët se shekullin e kaluar. Shpikjet e reja na kanë dhënë telefonat smart, por kjo thuajse është e pakarahsueshme me përparimin e madhe të shekullit të 20-të: elektricitetin, automobilin, aeroplanin, televizionin, antibiotikët. Nga ana tjetër, optimistët si Erik Brynjolfsson dhe Andrew McAfee na thonë në librin “The Second Machine Age [periudha e dytë e makinerive]” se Ligji i Moore [term në fushën e kompjuterave] do të na lejojë “digjitalizimin e gjithçkaje”. Google po eksperimenton tashmë me makina pa shofer, dhe në Japoni robotët kujdesen për pleqtë: një shpërthim rritjeje duket shumë afër.

Për të vendosur se kush ka të drejtë, duhet kuptuar fillimisht që të dy grupet nuk janë të fokusuar në të njëjtën gjë: për pesimistët ka vlerë konsumatori; për optimistët, makineritë. Po, në disa raste kompjuterat i kanë zëvendësuar njerëzit, por atëherë pyetja themelore bëhet: Çfarë ndodh me punëtorët që zëvendësohen nga makineritë? Teknologjitë e reja janë të destinuara të prodhojnë mrekulli. Por rëndësi ka fakti nëse ato do të zëvendësojnë punën e njeriut, apo do të jenë plotësuese të saj, duke na lejuar të jemi më produktivë.

Është e dobishme të krahasojmë këtë situatë me shekullin e 20-të kur fermerët amerikanë, që përbënin 38 për qind të fuqisë punëtore më 1900, shkuan në qytete dhe u bënë punëtorë shumë produktivë në industritë e reja. Rritja ekonomike u dyfishua menjëherë. Fakti që fuqia blerëse e klasës së mesme amerikane është rritur kaq pak në 30 vitet e fundit reflekton një tjetër ndryshim të madh: Punëtorët kanë lënë fabrikat – por produktiviteti i tyre në punët e reja (nëse gjejnë) është i frenuar, që do të thotë se rritja ekonomike po zhduket. Përfundimi logjik, atëherë, është se të dyja palët në debat kanë të drejtë: ne jetojmë një revolucion industrial pa rritje ekonomike.Software- i fuqishëm po bën punën e njerëzve, por njerëzit që ai ka zëvendësuar nuk janë gjendje të gjejnë punë produktive.

Atëherë si të sillemi me një botë pa rritje ekonomike – nëse ajo do të kalojë? Si mund t’i motivojmë njerëzit, nëse nuk përmbushim shpresën e tyre për të përmirësuar standardin e tyre të jetesës? Mund të kujtojmë lëvizjen radikale të Henry Ford për të dyfishuar pagat në fabrikat e tij, për të pakësuar mungesat dhe rigjallëruar dëshirën e punëtorëve për punë. Në eknomi në rritje mund t’i shpërblesh punëtorët e aftë me rritje page. Kompanitë e sotme u japin shpërblime punëtorëve bazuar në meritë, por karrota vjen bashkë me shkopin: pushim nga puna, nëse nuk arrin qëllimet.

Puno shumë ose ik nga puna, përkundër puno shumë të fitosh rritje page: Kjo teknikë menaxhimi është shkak madhor vuajtjeje në shoqëritë tona moderne. Ekonomistët David Blanchflower dhe Andrew Oswald kanë treguar se stresi mendor në vendin e punës është përkeqësuar gjatë viteve. Fatëkeqësisht, punëtorët e pakënaqur janë më pak produktivë; nga ana tjetër, punëtorët e kënaqur janë më bashkëpunues dhe krijues. Çështja është kjo: Nëse duam që punëtorët të bëhen produktivë përsëri, atëherë duhet të gjejmë skema të reja motivimi. Duke mos qenë në gjendje t’u premtojnë punëtorëve fitime më të larta, kompanitë duhet të përshtaten, të kompesojnë dhe ta bëjë punën më tërheqëse.

Modeli ekonomik danez, i diskutuar shumë në Europë, tregon se është realisht e mundshme të motivosh punëtorët me diçka tjetër nga frika. Danimraka renditet më e larat në “barazinë në punë në Europë”, krysisht sepse niveli i autonomisë së punëtorëve është shumë i madh. Ligjet që mbrojnë pushimet nga puna janë të shumta dhe trajnimet inkurajonë qëndrimin në vendin e punës dhe ulin frikën e humbjes së vendit të punës. Nuk është çudi që më 2013 Danimarka u deklarua vendi më i lumtur në botë.

Do të ishte absurde të mendohej se gjithë të këqijat e shoqërive perëndimore vijnë nga frenimi i fuqisë blerëse të individëve. Por të injorohet problemi dhe të vazhdohet me pretendimin se rritja do të rikthet, njëlloj si pas Luftës së Dytë
Botërore, kjo vetëm do të na verbonte përballë arsyeve që rritja ekonomike e dobët prodhon një shoqëri depresive. Tani duhet të imagjinojmë një botë ku lumturia dhe kënaqësia me jetesën dhe punën zëvendëson dëshirën shterpë që gjithmonë të fitojmë më shumë.

Daniel Cohen
New York Times

Artikulli paraprakAmerika i di krejt!
Artikulli vijuesKush është spiunia që zbulon videot e ISIS dhe arrin gjithmonë t’i ketë ato ekskluzive?