Edor Kabashi ndoshta është një emër i panjohur për shumë shqiptarë, por në botë ai është një ndër shkencëtarët më të njohur në fushën e neurogjenetikës dhe më specifikisht në studimin e Skleroza Amiotrofike Laterale, e njohur ndryshe si ALS.
38-vjeçari Kabashi është drejtuesi i Institutit të Studimeve të Trurit e Shtyllës Kurrizore në Pite Salpetrire në Francë dhe vetëm pak javë më parë i është akorduar çmimi si shkencëtari i ri më i mirë në fushën e gjenetikës.
Në një intervistë për Top Channel, Kabashi tregon më shumë lidhur me këtë çmim dhe domethënien e tij.
“Çmimi “Encals” është çmimi i rrjetit europian për kërkuesit e rinj shkencorë, duke i identifikuar grupin nën 40 vjeç për punët shkencore në fushën e gjenetikës. Ky çmim është dhënë nga një panel i ekspertëve ndërkombëtarë që ka gjykuar unanimisht kandidaturën time”, tha shqiptari Edor Kabashi.
Sëmundja ALS u bë shumë e njohur rreth një vit më parë, ku nëpërmjet rrjeteve sociale nisi një fushatë sensibilizimi e njohur ndryshe si “Ice Bucket Challenge” dhe ku u bënë pjesë shumë figura të njohura botërore. Por deri ku kanë shkuar kërkimet e ekipit të drejtuar nga Edor Kabashi?
“Për këtë moment nuk ka trajtim për këtë sëmundje dhe prandaj ne po përdorim shumë mundësi që ta kuptojmë më mirë këtë sëmundje te kafshët. Grupi ku unë bëj pjesë ka qenë pionier për prova neurogjenetike, domethënë të prodhojmë gjene të pacientët në një model të ri. Ne kemi arritur që ta moderojmë këtë sëmundje. Kjo na ka bërë që jo vetëm të kuptojmë mekanizmin, por edhe të mundohemi të gjejmë edhe strategji për të trajtuar pacientët. Prej disa vitesh ne kemi disa strategji që po i provojmë. Njëra prej këtyre trajtimeve farmaceutike po përdoret në një klinikë në Kanada”, shprehet Kabashi.
Duke u ndalur tek Shqipëria, prej të cilës Kabashi është largua që në vitin 1995, ai shprehet se do ishte i gatshëm të ndihmonte në ngritjen e një laboratori për kërkimet neurologjike në Shqipëri.
“Pa diskutim, kjo do të ishte një ëndërr, një pasion. Me mundësinë e reja që na jep teknologjia, ne nuk kemi nevojë që të qëndrojmë vetëm në një vend. Prandaj do të ishte një ëndërr ndërtimi i një qendre, ku të vazhdonim dhe të avanconin më shumë kërkimet shkencore, sidomos ku unë jam specialist”, thotë Kabashi.
Edor Kabashi shprehet optimist se me punën e nisur nga grupi i tij, shumë shpejt do të gjendet një kurë, e cila deri më tani mungon, për të mposhtur Skleroza Amiotrofike Laterale.