Enver Hoxhaj: Kosova shënon kapitull të ri bashkëpunimi me Pakistanin

0
139

Pakistani dhe Kosova mund të punojnë së bashku në fushën e energjisë, tekstilit dhe atë të teknologjisë informative. Kështu është thënë në takimin e ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj me homologun e tij pakistanez, Sartaj Aziz.
Në takimin me ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Sartaj Aziz, kryediplomati kosovar ka shtruar nevojën për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi me Pakistanin duke e falënderuar njëherësh për njohjen e Kosovës dhe mbështetjen e deritanishme.

Hoxhaj dhe Aziz janë pajtuar të lëvizin përpara në një numër fushash me interes të përbashkët për dy shtetet, dhe ta ndihmojnë njëra-tjetrën veçmas në agjendën multilaterale, sidomos përkrahja e Pakistanit në OKB dhe Organizatën për Bashkëpunim Islamik.

Shefi i diplomacisë kosovare, Hoxhaj ka takuar edhe ministrin për Zhvillim dhe Resurse Natyrore, Shahid Khaqan Abbasi, me të cilin konkretisht ka biseduar për temat specifike ku mund të bashkëpunojnë të dyja vendet.

“Pakistani është padyshim ndër vendet më të rëndësishme të botës islame. Pas vendimit që mori ky vend ta njoh Kosovën si shtet sovran dhe i pavarur, marrëdhëniet tona kanë një dimension të ri. Gjatë vizitës time të parë zyrtare në Pakistan, dhe në takimet që kisha me ministrin e Jashtëm të Pakistanit dhe atë të ekonomisë, biseduam për atë si të lëvizim përtej marrëdhënieve të mira politike e diplomatike, dhe të hapet një kaptinë e re e bashkëpunimit në fushat e tregtisë, ekonomisë, energjisë, arsimit dhe kulturës”, ka thënë Hoxhaj, pas takimit.

Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Aziz nga ana e tij ka shprehur kënaqësinë për vizitën e Hoxhajt në Islamabad duke përmendur edhe një sërë temash që janë diskutuar ndërmjet tyre.

“Kisha kënaqësinë ta takoja sot kolegun tim nga Kosova duke mirëpritur njëherësh këtë mundësi për të shkëmbyer pikëpamje dhe zgjeruar bashkëpunimin tonë në fushën ekonomike. Ka një numër fushash ku Pakistani dhe Kosova mund të punojnë së bashku, si në fushën e energjisë, tekstilit dhe atë të teknologjisë informative. Ne biseduam për disa ide konkrete se si mund ta zgjerojmë tregtinë dhe marrëdhënien tonë biznesore”, ka thënë Aziz.

Vizita dyditore e kryediplomatit kosovar në Pakistan vjen pas qëndrimit të tij në Berlin, ku ishte takuar me homologun gjerman, Steinmeier dhe deputetë të Bundestagut gjerman.

Hoxhaj ka nisur një vizitë dyditore në Pakistan, të parën vizitë të një zyrtari të lartë shtetëror pas njohjes së Kosovës nga ky vend. /Telegrafi/