Rreth 50 shtete u angazhuan për të pranuar 360 mijë emigrantë dhe për të shtuar kontributin e tyre financiar gjatë samitit të organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, në lidhje me emigrantët.
Pjesëmarrës në këtë takim me nivel të lartë, që u mbajt një ditë pas Samitit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe Emigrantët, ishte edhe Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Në fjalën e rastit, kreu i shtetit turk shpjegoi projektet e realizuara nga vendi i tij për emigrantët dhe akuzoi Bashkimin Evropian për mospërmbushje të angazhimeve të tij kundrejt Turqisë në kuadër të marrëveshjes së arritur më 18 mars të këtij viti.
“E lënë në vetmi që prej fillimit të krizës siriane, Turqia po përballet sërish me të njëjtat pasoja. Në këtë apo atë mënyrë, ne arrijmë t’i bëjmë ballë kësaj çështjeje dhe padyshim që do ta përballojmë. Por komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi dhe BE-ja në veçanti s’do të jenë kurrë në gjendje që të japin llogari për qëndrimin e tyre kontradiktor në një krizë humanitare të tillë kaq themelore”, deklaroi Erdogan.
“Shoqëria ndërkombëtare nuk i ka dalë dot për zot vlerave humanitare e ndërgjegjësore dhe, mjerisht, vetëm kjo ka mjaftuar që ajo të mos e kalojë testin”, shtoi ai.
“Askush nuk mund të jetë i pafajshëm në një botë, ku vdesin dhe vriten foshnja, gra e civilë. Ne duhet të veprojmë urgjentisht, menjëherë dhe me një qëndrim të vendosur për të ndalur këto kriza, që për më tepër jemi edhe shumë vonë”, theksoi Presidenti Erdogan.
Pa një ndarje të drejtë të barrës – tha lideri turk – as që mund të bëhet fjalë për arritjen e objektivit në lidhje me zgjidhjen e problemit të refugjatëve.
Ndërsa kreu i Shtëpisë së Bardhë vuri në pah se një pjesë e mirë e rreth 65 milionë personave, që sot kanë rënë në statusin e refugjatit, strehohen në vetëm 10 shtete të botës dhe në krye të tyre qëndron Turqia.
Barack Obama u bëri thirrje të gjitha vendeve që të hapin kufijtë e tyre për emigrantët duke nënvizuar se mund të kontribuojnë financiarisht për shtetet, ku këta njerëz shkojnë.
Lideri amerikan sqaroi se refuzimi i emigrantëve myslimanë në veçanti fuqizon tezën e terroristëve.
Ai njoftoi gjithashtu se 50 firma amerikane kanë premtuar se do të investojnë mbi 650 milionë dollarë për arsimimin dhe punësimin e refugjatëve, si dhe për mbështetjen e tyre në fusha të tjera.
Kurse sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, nënvizoi se asnjë vend i botës nuk mund ta përballojë i vetëm këtë problem kolosal.
“Duhet të veprojmë të gjithë së bashku”, apeloi shefi i OKB-së.