Erdoğan për praninë e forcave turke në Bashika: Kemi përgjegjësi historike

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një fjalim të mbajtur ditën e sotme gjatë një ceremonie në Pallatin e Kongreseve Baştepe për hapjen e vitit të ri akademik, duke folur për praninë e forcave turke në Bashika, ka thënë se do të jenë në terren dhe në tryezë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë fjalimit të tij Presidenti Erdoğan, duke folur për rëndësinë që i jep shteti turk arsimit ka vënë në dukje edhe problemet në këto institucione.

“Kemi informacione se disa persona të lidhur me grupe terroriste, iu bëjnë presion studentëve në kampuse. Nuk do të lejojmë asnjë tentativë për heqjen e të drejtës dhe lirisë së studimit për asnjë student. Ky vit do të jetë periudha ku do ti kushtohet rëndësi kësaj çështjeje dhe do të hidhen hapat e nevojshëm për të penguar këtë gjë. Në këtë pikë një rëndësi të veçantë kanë studentët tanë, profesorët dhe drejtuesit e universiteteve”, është shprehur Presidenti Erdoğan.

“Do të jemi në terren dhe në tryezë”

Ndërsa në lidhje me gjendjen në Irak dhe Siri, Presidenti i Turqisë, Erdoğan tha: “Brezi ynë i ri, duhet të dijë shumë mirë se çfarë do të thotë ‘Misak-ı Milli’ (Pakti Kombëtar). Nëse ne arrijmë të perceptojmë dhe të kuptojmë Paktin Kombëtar, atëherë mund të kuptojmë drejt se çfarë duam ne në Irak dhe cila është përgjegjësia jonë atje.”

“Nëse ne themi sot se kemi një përgjegjësi ndaj Musulit dhe për këtë arsye do të jemi edhe në terren edhe në tryezë, nuk e themi për sy e faqe. Do të ngrihesh nga dhjetëra mijëra kilometra të vish këtu dhe do ta shikosh si një të drejtë. Çfarë thonë? Na thërret Bagdadi. Në rregull, por në 350 kilometra vijë kufitare që kam unë, kam problem. Unë këtu kam përgjegjësi historike dhe ne do të jemi këtu. Edhe në terren do të jemi edhe në tryezë”, tha Presidenti Erdoğan.

“Mjafton që askush të mos ketë sy në atdheun tonë”

“Ne nuk kemi sytë në territoret e Irakut dhe Sirisë. Na mjafton një atdhe prej 780 mijë kilometrash katrorë. Mjafton që askush të mos ketë sy në atdheun tonë”, tha Erdoğan dhe në vijim të fjalës së tij shtoi: “Në asnjë mënyrë nuk duam që të jemi pjesë e përplasjeve medh’hebike të cilat po zhvillohen në Irak, por edhe vëllain tonë suni arab dhe atë suni turkmen nuk duam ta harxhojmë për askënd.”

Artikulli paraprakFëmijët “viktima të luftës” në Jemen
Artikulli vijuesKryeministri turk: Do të dërgojmë në Kuvend propozimin për sistemin presidencial