Sot rreth orës 01:00, policia ka marrë informatën për gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Shukri Hoxha” në Ferizaj.
Sipas një njoftimi të Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, Prokurori si dhe hetuesit e Mjekësisë Ligjore dhe në dhomë të fjetjes kanë hasur në dy trupa të pajetë, ku pas ekzaminimit nga ana e mjekut është konfirmuar se viktimat e rastit kishin ndërruar jetë.
Po sipas Policisë, viktima F.O. 27 vjeçare ishte qëlluar me armë zjarri nga i dyshuari H.B. 28 vjeçar, përndryshe bashkëshorti i viktimës dhe i njëjti pastaj ka qëlluar edhe veten me një plumb.
“Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhojat si dhe është gjetur dhe konfiskuar arma e llojit AK-47 , me të cilën dyshohet se është kryer vepra. Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. Me rastin janë duke u marr hetuesit e Sektorit të hetimeve rajonale”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ja pse burri vrau gruan dhe veten në Ferizaj
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas orës 01:00 të mesnatës në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.
H.B ka shtënë me armë zjarri mbi gruan F.O, duke e lënë të vdekur në vend. E më pas ka vrarë edhe veten.
Lajmin për këtë vrasje e ka konfirmuar për Gazetën Express, kapiteni i Policisë, Basri Shabani, ku thotë se vrasja ka ardhur për shkak të problemeve bashkëshortore.
“Në këtë ngjarje kemi të bëjmë me vrasje të rëndë dhe vetëvrasje. Burri vret gruan pastaj vetën, kjo ka ndodhur për shkak të problemeve bashkëshortore. Burri ka vrarë gruan me Armë AK47”, ka thënë Shabani.
E gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e axhës së burrit. Ata lanë pas një djalë 6 vjeç, ku në ato momente ai ishte tek gjyshi i tij.
H.B ishte nga fshati Velikincë i Gjilanit por që nga vitet e 80’ta jetonte në Ferizaj.
Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. Me rastin janë duke u marrë hetuesit e Sektorit të hetimeve rajonale.