Fuqia e Jakupit në PDK, e pakontestueshme?

Jakup Krasniqi nuk është i vetëm. “Mohikani” i PDK-së, përveç Fatmir Limajt, prapa vetes ka një “brigadë” të tërë. Kjo është dëshmuar në Kuvendin e Gjashtë të partisë, i cili nga 718 delegatët, mori votat e 373 prej tyre, pavarësisht rebelimit dhe fjalorit të ashpër ndaj liderit të partisë, Hashim Thaçi.
Sekretari i PDK-së, Jakup Krasniqi, vazhdon të jetë figurë e fuqishme në parti, edhe pse ndikimi i tij thuhet se tashmë është zbehur. Ai në Kuvendin e V-të zgjedhor të PDK-së ishte personi i tretë më i votuar, i cili atëbotë ishte emëruar sekretar i përgjithshëm i PDK-së, ndërkaq në Konventën e fundit u rendit i 36-ti, shkruan “Zëri”.

Megjithatë, kjo renditje nuk do t’i prishë punë Krasniqit, që të hyjë në listën e anëtarëve të Kryesisë së re të partisë që pritet të zyrtarizohet pas 10 ditësh, edhe pse nuk besohet se do të arrijë të mbajë pozitën e deritashme prej sekretari. Thuhet se vendin do t’ia “zërë”, Hajredin Kuçi, ndonëse një gjë e tillë nuk konfirmohet nga zyrtarët e këtij subjekti politik.

Ndërkaq, vetë kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili para 13 vitesh e themeloi PDK-në së bashku me shokë, ka deklaruar se nuk ka ndryshuar mendje në raport me zhvillimet në PDK-së dhe mënyrën e udhëheqjes së partisë.

Ai në një rast, liderin e tij e ka quajtur “sundimtar të gjithëpushtetshëm dhe shfrytëzues të partisë për interesa personale”, ndërkaq ende nuk e ka zyrtarizuar qëndrimin e tij nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e strukturave drejtuese të partisë, apo do ta braktisë PDK-në.

Analistët politikë mosmarrëveshjet në mes kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe kryeministrit Hashim Thaçit i shohin të pariparueshme, edhe pse jozyrtarisht theksohet se janë angazhuar “ndërmjetësues” për pajtimin e tyre.

Sipas njohësit të zhvillimeve politike në vend, Halil Matoshit, sekretari i PDK-së, Jakup Krasniqi, i cili ka kohë që është rebeluar me liderin e partisë së tij, Hashim Thaçi, ende po arrin ta ruajë elektoratin brendapartiak.

“Dihet se kryekuvendari vazhdon të ketë ndikim në PDK, por jo në atë masën çfarë e kishte në Kuvendin e V-të, i cili ishte i treti më i votuari, ndërkaq tash ka zënë vendin e 36-të. Megjithatë, PDK taktizon, duke iu ofruar atij post të rëndësishëm në parti me qëllim që ta ruajë elektorin fanatik. Natyrisht se Krasniqi është fi gurë e rëndësishme për PDK dhe këtë e di mirë lidershipi i kësaj force politike”, ka thënë ai.

Duke e ditur ndikimin e kreut të Kuvendit që ka në parti, ai tha, pikërisht për këtë qëllim Hashim Thaçi nuk i ka hyrë rrezikut që ta mënjanojë atë nga postet politike në PDK.

Analisti Matoshi, ndërkaq, nuk e përjashtoi mundësinë që t’ia zgjasin dorën e pajtimit njëri-tjetrit. “Politikanët me gjithë kundërshtimet e tyre në sytë e publikut, për interesat e tyre gjithmonë pajtohen qoftë edhe në heshtje”, ka thënë ai.

Nga ana e tij, njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Avni Zogiani “luftën” në mes kryetarit të PDK-së dhe sekretarit të këtij subjekti politik e sheh si problem në mes strukturave të vjetra dhe të reja të partisë, të cilët po mundohen me çdo kusht ta marrin në duar partinë.

“Numri aq i madh i votave nga anëtarët e Këshillit Drejtues të PDK-së për Jakup Krasniqin tregon për fuqinë dhe simpatinë që gëzon ai nga disa njerëz të kësaj partie edhe pse jam i bindur se ai ka shumë armiq”, është shprehur ai.

“Përplasjet në PDK nuk i shoh si “luftë” në mes Krasniqit dhe Thaçit, por më shumë si “luftë” të strukturave të vjetra dhe këtyre të rinjve që po mundohen ta marrin partinë me çdo kusht”, ka thënë ai.

Ndërkaq, zyrtari i lartë i PDK-së, Shemsi Veseli, pohon se Jakup Krasniqi është figurë relevante, i cili gëzon autoritet dhe kredibilitet në radhët e PDK-së.

“Ai është njëri nga themeluesit e partisë dhe pjesë e suksesit të PDK është edhe vetë puna dhe angazhimi i Krasniqit. Në këtë drejtim është i pakontestueshëm roli dhe ndikimi i tij që gëzon brenda partisë”, ka thënë ai.

Mirëpo, koordinatori i zgjedhjeve në PDK, Bastri Musmurati, nuk ka dashur të paragjykojë nëse njeriu i dytë në hierarkinë e këtij subjekti politik do të zgjidhet anëtar i Kryesisë.

“Të shohim se si do të votojnë anëtarët e Këshillit Drejtues për përbërjen e re të kryesisë”, ka thënë ai, duke shfaqur besimin se kryesia do të zgjidhet pas 10 ditësh. Megjithatë, Musmurati ka theksuar se votimi i 373 delegatëve për Jakup Krasniqin tregon për fuqinë e tij në parti. /Telegrafi/

Artikulli paraprakSHBA, zbulohet skema mashtruese me karta krediti
Artikulli vijuesLëvizja Bashkohu bëhet parti politike