(dedikim për 400 mijë vajza e gra shqiptare)
Në gjithësi ndoshta nuk mund të gjeni një si ju
Që e merrni secilën dasme si jetë a vdekje
Të shkëlqeni si yjet
Me dhëmbë të shkëlqyer
Me fustanin më madhështor
Me përgatitjet më të gjata për flokët
duke u bërë telef
rraskapitje më të madhe se gratë askete të Sri Lankës në hyrjen e ritualit të çuditshëm
Në gjithësi nuk mund të gjeni një si ju
Me konturat në fytyrë
Hundën në mes të bardhë dhe anash në të kafe
Pastaj qindra thirrje për miratim nga të gjithë
E të vazhdoni me pyetje të panumërta duke i tejkaluar në numër edhe të urtët e lashtësisë
A po shkon a s’po shkon me këto këpucë?!
Me këtë ngjyrë, me këtë qepje, me këtë pëlhurë…
A është fustan më i rëndë a më i lehtë se jemi në dasme tek i afërmi a tek i largëti?
A duhet t’i marrë dy e tre fustanë për t’i veshur e zhveshur një nga një se nuk mjafton vetëm një?!
Cilët t’i marrë, nëse i marri tretë?!
Dilema më të rënda se të Hamletit
Për një natë pa jetë a vdekje
Në gjithësi nuk mund të gjeni ndoshta si ju
Kur mallkoni varfërinë
Kur mallkoni babadimrin që nuk u solli për oxhaku një fustan me kristale
Apo një të lëshuar krejt teposhtë si harmonikë e këtu mbi bel duke u ngushtuar
Kur të prishen ëndërrat për një fustan
Kur e fajësoni vetveten për fatin tuaj të zi
për një fustan të zi
Në gjithësi nuk mund të gjeni një si ju
Yje që bëjnë betejën tuaj poshtë në tokë
As diej që duan të shndërisin sa më shumë
Për të shkuar në atë dasme
Për të shkëlqyer si të tëra
Në gjithësi nuk mund të gjeni askund
Kur vajtimi juaj kalon gjamën e burrave malësorë
Për një fustan të zi
Kur trishtoheni nëse shkoni në dy dasme të ndryshme me të njëjtin fustan
Sesa frikësoheni nga vetë vdekja
Në gjithësi nuk mund të gjeni një si ju
Kur e urreni fustanin e njëjtë të shkoni në dy dasma të ndryshme
Më shumë se vetë vdekjen